Aleanca Kuq e Zi ka zhvilluar sot një tubim-protestë në qytetin e Kuçovës. Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, gjatë fjalës së tij përpara mbështetësve të kësaj lëvizje politike ka deklaruar se rrëzimi i regjimit politik të shtetasit Sali Berisha është misioni historik i kuq e zinjve. Spahiu u ndal në disa problematika jetësore të jetës dhe vështirësive ekonomike që shqiptarët po përballen çdo ditë e më shumë dhe ku përballë tyre është regjimi më i egër i 100 viteve të fundit.


Në përfundim të aktivitetit në kinemanë e qytetit kuqezinjtë marshuan në rrugët e Kuçovës duke u drejtuar drejt puseve të naftës, të cilët partia-shtet përveç përvetësimit klientelist material i kishte ngjyros ato me ngjyrat e flamurit të partisë demokratike. Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi kanë ngjyrosur kuqezi këto puse nafte duke lëshuar mesazhin e fortë se pasuria kombëtare e shqiptarëve nuk mund të jetë e asnjë pushteti apo partie-shtet.


Përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi deklaruan, se nafta është pasuri e Shqipërisë dhe jo e partisë. Sipas tyre shtetasi Berisha po tenton të bëhet aksionar i nëntokës shqiptare, gjë që nuk e bënë as komunistët dhe as nazistët. Aleanca Kuq e Zi ka premtuar nga Kuçova por dhe në çdo takim tjetër me qytetarët e vendit se administrimi i pasurisë kombëtare do të riformatohet dhe do t’i kthehet pronarëve të vërtetë, qytetarëve të Shqipërisë.


15 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)