Shkodër
Nga verifikimi rezulton se shumica kanë falsifikuar moshën e pensionit në vitet 1992-1997
Dixhitalizimi i shërbimit të marrjes së pensioneve online në Shkodër ka nxjerrë sheshit falsifikimet e shumta që janë bërë për të përfituar pension të paligjshëm. Nga 900 dosje me probleme në qytetin e Shkodrës, dyshohet se 400 pensionistë kanë falsifikuar dokumentacionin. Kjo ka rezultuar nga mos korrespondenca mes kartës së identitetit dhe të dhënave që janë hedhur në dosje nga deklarimi i pensionistëve. Në të gjitha zyrat e shpërndarjes së pensioneve, që nga data 1 nëntor ka filluar shpërndarja me sistemin e ri online, por 400 pensionistë nuk kanë mundur të tërheqin pensionet e tyre. Sipas drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër, Rexhep Reçi, kjo kategori personash i përket periudhës 1992-1997, kohë kur ata kanë mbushur moshën e daljes në pension. Më tej, drejtori Rexhep Reçi sqaron se “nga shqyrtimi i të dhënave, deri tani rezultojnë që rreth 900 dosje në shkallë rrethi të jenë me probleme të tilla”. Këto kanë qenë dosjet e para të zbuluara në qytetin e Shkodrës, pasi në komuna, pensionet do të nisin të shpërndahen nga fillimi i vitit që vjen. Në lidhje, me masat që do merren, drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër sqarojnë se është përcaktuar edhe masa e gjobës. “Ne kemi përcaktuar për çdo rast vlerën e dëmit financiar. Kështu, nëse personi ka përfituar padrejtësisht pension dhe pas verifikimit kjo rezulton e vërtetë, atij i humb e drejta për të marrë pension. Ai do të ndiqet penalisht dhe do të jetë gjykata që do të vendosë për më tej. Ndërsa në rastet kur personi për vite ka përfituar pension më të madh për shkak të abuzimit, atëherë do të bëhet shuma totale e marrë padrejtësisht dhe në bazë të një kalendari, kjo vlerë do t’i merret nga pensioni i përmuajshëm. Në bazë të ligjit, atyre u ndalohet 50 për qind e pensionit deri në likuidimin e plotë të shumës”, shprehen zyrtarët e sigurimeve. Shërbimi i dhënies së pensioneve në mënyrë të dixhitalizuar ka qenë një bashkëpunim i ISSH dhe Postës Shqiptare në Shkodër, me qëllim eliminimin e radhëve të pensionistëve, si dhe krijimin e një sistemi modern dhe transparent të shpërndarjes së pensioneve në shkallë vendi. Por, akoma më problematike duket situata në vitin që po hymë, pasi sipas drejtuesve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër, kjo mënyrë dixhitale e dhënies së pensioneve do fillojë të përdoret edhe në fshat, ku pritshmëria e problemeve dhe falsifikimeve ka gjasa të jetë më e madhe. Të gjithë pensionistëve, të cilët dyshohet se kanë kryer falsifikime, sot u janë bllokuar pensionet dhe situata do të vijojë derisa të sqarohet ligjërisht forma e marrjes së dëmit financiar, që është shkaktuar ndër vite. A. Hoti