Vrasja në Fier
Vajza dhe djali i viktimës: Nuk e dimë arsyen e sulmit makabër ndaj nënës sonë
“E gjeta nënën të masakruar, teksa po kaloja pranë dritares së vajzës që më pëlqente”
Bledi Gilaj
Vrasja e 49-vjeçares në Fier po hetohet si krim pasioni ose si hakmarrje për familjen e saj. Këto janë dy pistat që ka ngritur policia lokale për krimin makabër, duke përjashtuar pistat e tjera hetimore, ndërkohë që identifikimi i telefonuesve të viktimës pritet të zbardhë detaje të reja për zbardhjen e plotë të krimit të rëndë. Pas dëshmive të marra nga dy gratë që e gjetën të masakruar 49-vjeçaren Ahsinja Krytha, policia ka administruar edhe deklarimet e dy fëmijëve të kësaj të fundit. Mbrëmjen e së enjtes, policia ka pyetur për ndonjë dijeni të mundshme mbi motivet e ngjarjes djalin 19-vjeçar dhe vajzën 22-vjeçare të gruas së masakruar me 14 thika pasditen e së mërkurës.
Dëshmitë
Nga burime konfidenciale të gazetës është bërë e mundur të mësohen pjesë nga dëshmia e djalit të Ahsinjës dhe vajzës së saj. Kështu, mësohet se 19-vjeçari ka deklaruar se kur kishte parë dy banoret e lagjes Lefteri Balën dhe Nazife Hoxhën tek bërtisnin, i ka pyetur se çfarë kishte ngjarë. Kur ato i kanë thënë se ishte plagosur nëna e tij, ka rendur me vrap për t’iu gjendur pranë. Ai ka pohuar se është shokuar nga lajmi i marrë dhe nga gjendja në të cilën ka parë të ëmën, por i këshilluar nga të dy gratë, ka gjetur forcën e ka rendur të gjejë një makinë për ta transportuar në spital. Ndërsa pyetjes se përse ndodhej në atë kohë, në atë rrugicë, 19-vjeçari mësohet t’i jetë përgjigjur se aty kalonte çdo pasdite disa herë. Madje, ai ka dhënë edhe argumentin pse kalonte shpesh në atë rrugicë, duke sqaruar se në pallatin aty pranë jetonte një vajzë që i pëlqente. Ai ka shtuar se kalonte me qëllim që t’i binte në sy vajzës. Ky pretendim mësohet të jetë verifikuar nga hetuesit dhe ka rezultuar i vërtetë. Por, djali i viktimës nuk ka arritur të ndihmojë hetuesit lidhur me detaje për motivin apo autorët e mundshëm. Burimet e gazetës pohojnë se ai është shprehur se nuk dinte dhe as kishte dëgjuar ndonjëherë që e ëma të kishte pasur ndonjë konflikt. Të njëjtën deklaratë ka bërë edhe e bija e saj 22-vjeçare, e cila është studente në qytetin e Durrësit. Ajo ka pohuar se për shkak të studimeve nuk vinte shpesh në shtëpi, por dëgjohej shpesh në telefon. Sipas saj, nuk kishte dëgjuar ndonjëherë që e ëma të kishte pasur probleme. Mësohet se gjatë ditës së djeshme, me të dy fëmijët ka komunikuar edhe babai i tyre, që prej vitesh rezulton se jeton në Oslo të Norvegjisë. Ndërkaq, Prokuroria dhe Policia e Fierit e kanë përqendruar hetimin e tyre në verifikimin e tabulateve telefonike të së ndjerës, prej nga pritet të zbulohet autori i dyshuar.
Hetimet
Prokuroria e ka klasifikuar si vrasje me paramendim ekzekutimin e 49-vjeçares Ahsinja Krytha. Ky klasifikim është bërë pas rindërtimit të dinamikës së ngjarjes, prej nga dyshohet se autori e ka njohur viktimën dhe e ka parapërgatitur krimin e tij. “Dyshohet se autori ka mbartur urrejtje ndaj viktimës, pasi e ka qëlluar 14 herë me thikë, duke i shkaktuar tetë plagë vdekjeprurëse”, thonë burimet, të cilat shtojnë se mënyra e ekzekutimit të çon në dyshimet për një krim pasioni. Gjithashtu, po sipas policisë, një krim i tillë mund të kryhet edhe për hakmarrje. Burimet nga grupi hetimor thonë se këto dyshime vijnë edhe për shkak të vëllait të saj, i cili dyshohet se merret për trafik femrash, ndërkohë që drejtësia italiane e ka person të shpallur në kërkim. Pritet që në ditët në vazhdim të verifikohet nëse ka pasur ndonjë thirrje telefonike në numrin celular të 49-vjeçares Krytha, pak para se ajo të dilte nga shtëpia. Ndërkaq, do të verifikohen edhe dy thirrjet e humbura që janë kryer nga një numër i panjohur. Hetuesit kanë ngritur dyshimet se thirrjet nga numri i panjohur mund të jenë kryer nga autori i vrasjes, pak pas ngjarjes, për të vërtetuar nëse 49-vjeçarja ishte apo jo ende gjallë. Ahsinja Krytha u ekzekutua mbrëmjen e të mërkurës rreth orës 16:50, para portës së një vile trekatëshe në lagjen e saj. Ajo u gjet e përgjakur nga dy banore të zonës, të cilat pasi mbërriti edhe djali i të ndjerës e transportuan atë në spital, por pa rezultat.
