Studimi


Kemi më shumë dhimbje fizike, paaftësi apo shqetësime mendore


Bota ka arritur suksese të mëdha në luftën kundër sëmundjeve infektive, por për rrjedhojë, ne aktualisht jetojmë më gjatë e jemi jetë me më shumë sëmundje, ku problemet shëndetësore na shkaktojnë shumë vite dhimbje, paaftësi dhe shqetësime mendore.


Kjo “ironi shkatërrimtare”, siç e përshkruajnë studiuesit, është konkluzioni kryesor i një studimi pesëvjeçar që përbën vlerësimin më tërësor të shëndetit botëror në historinë e mjekësisë. Studimi mbi Ngarkesën Botërore të Sëmundjeve, i udhëhequr nga Instituti për Metrikën dhe Vlerësimin Mjekësor në SHBA, zbulon se shumë vende po përballen me një valë kostosh financiare dhe shoqërore nga rritja e numrit të njerëzve që jetojnë me sëmundje apo plagosje.


Një gjetje tjetër tregon se ndonëse kequshqyerja ka rënë ndjeshëm si shkak i vdekjeve dhe sëmundjeve, pasojat e mbiushqyerjes po i zëvendësojnë këto shkaqe. Pirja e duhanit dhe alkoolit kanë kapërcyer sakaq urinë e fëmijëve për t’u bërë rreziqet numër dy dhe tre për shëndetin në vendet e pasura, pas tensionit të gjakut. Gjatë vitit 2010, rreth 3 milionë njerëz vdiqën nga mbipesha, tri herë më shumë se sa nga kequshqyerja.


“Ne kemi kaluar nga bota e 20 viteve më parë ku njerëzit nuk kishin ushqim të mjaftueshëm te një botë ku ka ushqim me tepri dhe ushqim të pashëndetshëm. Kjo gjë po ndodh edhe në vendet në zhvillim”, thotë Majid Ezzati, një nga kërkuesit.


Gjithsesi, problemet më të mëdha shëndetësore tashmë përbëhen nga kushte apo sëmundje që nuk vrasin, por na lënë të sëmurë. Ne tashmë jetojmë më gjatë dhe vuajmë më shumë nga sëmundjet që shkaktojnë dhimbje, paaftësi për të lëvizur, parë, dëgjuar apo menduar qartë.


“Shumë pak njerëz po ecin përpara me shëndet të plotë. Shumica, ndërsa plaken, akumulojnë probleme shëndetësore”, thotë Christopher Murray, një studiues tjetër.


Më shumë se 480 shkencëtarë nga 302 institucione dhe 50 vende morën pjesë në studimin që është financiar nga fondacioni “Bill & Melinda Gates”. Disa ekspertë e krahasojnë studimin për nga rëndësia me projektin për krijimin e hartës së gjenit të njeriut në vitet 2000.


Studimi zbuloi se nga 52.8 milionë vdekjet në të gjithë botën në vitin 2010, vdekjet nga sëmundjet kronike kishin peshën më të rëndë. Rreth 13 milionë njerëz vdiqën nga sëmundjet e zemrës, probleme që përshkallëzohen nga ushqimi dhe pija e tepërt, duhanpirja dhe mungesa e ushtrimeve fizike. Rreth 1.5 milionë njerëz vdiqën nga HIV/AIDS dhe tuberkulozi ndërsa sëmundjet e tjera infektive shkaktuan 1.2 milionë viktima. Rreth 8 milionë qenë të vdekurit nga kanceri.


Ndërsa vdekshmëria foshnjore ka rënë, ka pasur rritje dramatike me 44 për qind të vdekjeve mes të rinjve 15-29 vjeç. Kjo ishte pjesërisht pasojë e rritjes së vdekjeve të dhunshme, si vrasjet apo aksidentet rrugore, si dhe nga sëmundja e AIDS-it.