Gara
Mitat Lamkja: Tufa ime e meritonte, por çmimet u ndanë me mik dhe ia dhanë krahut të tyre
Bardha Nergjoni
Në Shqipëri, edhe në një konkurs të gjelave të detit ka manipulime dhe akuza politike. Këtë fakt e deklarojnë konkurrentët që morën pjesë në paradën e veçantë që organizohet në prag të festave të fundvitit në Komunën Përparim të Peqinit. Banorët janë shprehur se konkursin për gjelin më të fortë e fitoi familja e sekretarit të komunës.
Konkursi
Ky panair i organizuar nga Drejtoria e Bujqësisë Elbasan, Ministria e Bujqësisë dhe Komuna Përparim ka tërhequr sërish vëmendjen e pronarëve të 22 tufave pjesëmarrëse, të cilat kanë parakaluar para parisë së përbërë nga zv/ministri, drejtues rajonalë, deputetë e drejtues vendorë. Dy nga tufat parakaluese do të ishin më të mëdhatë. Ishte ajo e Shërbet Gjuzit, e deklaruar me 110 krerë dhe ajo e Mitat Lamkes, me 102 krerë. Për tufat e tjera pjesëmarrëse ra në sy numri i vogël i shpendëve që mbushin tavolinën e fundvitit. Në përfundim të parakalimit u bë edhe gara e famshme e dyluftimit të gjelave. Ishin katër gjela për dyluftime, por vetëm dy prej tyre kanë luftuar për trofeun, pasi dy të tjerë ishin më paqësorë. E pikërisht gjeli që peshonte 7 kg i Haxhire Zylyfit ishte fituesi, edhe pse ishte më i vogël se konkurrenti i tij. Nipi i saj ka tërhequr edhe çmimin që konsiston në një vlerë prej 10 mijë lekësh të reja dhe një kurorë triumfuesi. Ai thotë se gjeli nuk është stërvitur asnjëherë dhe ka qëndruar gjithë kohën me tufën. Gjeli nuk ka një emër, por të gjithë kanë menduar për t’i vendosur një të tillë. Poseduesi i gjelit u shpreh se nuk do ta therë në fund të këtij viti, pasi ai e kapërceu vlerën e tij në treg.
Akuzat
Ndërkohë, si në çdo konkurs që ka fjalë, edhe ky nuk ka mbetur jashtë vëmendjes. Banorët thonë se kishte gjela të fortë, por juria nuk i ka pranuar se duhet të fitonte ai i Haxhires, pasi ishte gjeli i sekretarit të komunës. Por, nuk do të mbaronin me kaq fjalët për këtë konkurs. Mitat Lamkja, pronar i plot 102 krerëve, fitues i çmimit të dytë shprehet se ai e meritonte vendin e parë, por edhe këtu vendosi partia. Për fituesin, ai thotë se ka një tufë më të vogël se ai dhe nëse do të ishin numëruar, organizatorët do të kishin dalë blof, pasi nuk kanë qenë aq krerë sa deklaruan. “Edhe këtu vendosi partia se kush do ta fitonte për tufën më të mirë dhe gjithçka ishte parapërgatitur”, shprehet Lamkja në përfundim të ndarjes së çmimeve. Në përfundim, drejtuesit janë mbledhur në një drekë të përbashkët me mish gjeli, ndërsa rritësit e gjelave të detit që ishin në këtë panair, kanë marrë një shpërblim simbolik të pjesëmarrjes. Elbasani mbarështon rreth 100 mijë krerë të këtij shpendi të preferuar për festat e fundvitit.