Partia Demokracia Sociale ka mbledhur sot komitetin drejtues, ku kryefjalë të diskutimeve kanë qenë përgatitjet për zgjedhjet 2013. PDS ka vendosur në fokus dhe vëmendje të veçantë thithjen e elektoratit gri, përkatësisht rininë dhe gratë. Kreu i kësaj partie Paskal Milo, duke folur para komitetit drejtues tha se do të merren të gjitha masat për të mbrojtur çdo votë të kësaj partie.


“Me 23 qershor të 2013 kemi sfidën e madhe të zgjedhjeve parlamentare. Komiteti drejtues mblidhet sot për tu përgatitur, na duhet organizim, program, strategji dhe taktikë e përsosur për të shkuar të suksesshëm në këto zgjedhje. Organizimin ne e kemi filluar që në shtator. Ndodhemi në procesin e diskutimit dhe finalizimin e kandidaturave për hartimin e listave që do përfundojë në janar. Kemi shumë për të bërë në fushën e organizimit, vetëm strukturat reale në çdo qendër votimi do të mund të mbrojnë votat. Ne duhet të fokusohemi tek rinia, gratë, tek ajo shtresë gri ku potencialet politike janë të pashfrytëzuara” tha Milo.


Sa i përket programit të PDS, Milo vuri në dukje se kjo parti në qënesinë e saj ka një program social, i cili nga njëra anë do të vërë në dukje keqeverisjen e mazhorancës aktuale, nga ana tjetër do të paraqesë edhe alternativën se si mund të ecet përpara.


15 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)