Mitingjet finale
Mbështetësit dhe kundërshtarët e Presidentit të Egjiptit zhvilluan dje mitingjet e tyre finale në prag të referendumit mbi një projektkushtetutë, referendum që pritet të fillojë të shtunën. Kundërshtarët thonë se projekti është hartuar dobët dhe pa konsultimet e nevojshme, si dhe është tepër islamik. Presidenti Mohammed Morsi këmbëngul se Kushtetuta është e nevojshme për të plotësuar tranzicionin nga koha e sundimit të Hosni Mubarak.
Debati ka shkaktuar përplasje nëpër të gjithë Egjiptin mes mbështetësve të të dyja palëve. Përplasjet dje shpërthyen në qytetin e Aleksandrisë. Dhjetëra mijëra policë dhe trupa ushtarake janë shpërndarë në vend për të ruajtur rendin në prag të referendumit. Morsi i ka dhënë ushtrisë edhe fuqinë për të arrestuar civilë, duke rritur frikën se Egjipti po kthehet te koha e sundimit të ushtarakëve.
Rritja e sigurisë nuk i shmangu përleshjet në Aleksandri, ku dhjetëra vetë nga të dyja palët u përleshën me shkopinj, gurë e mjete të tjera. Disa makina u dogjën dhe shumë njerëz mbetën të plagosur. Dhuna thuhet se filloi kur një klerik në një xhami i këshilloi besimtarët të votojnë “po”. Sheik Mohammed Sayyed, një klerik pranë Vëllazërisë Myslimane, tha në xhami: “Nesër është dita kur ne do të kërkojmë fitoren e Islamit”.
Opozita i është drejtuar popullatës me fjalët: “Jeni ju që do të paguani çmimin nëse votoni pro. Duhet të votoni kundër”.
Votimet do të hapen të shtunën në gjysmën e vendit. Në gjysmën tjetër do të votohet një javë më vonë. Votimet u ndanë në dy pjesë për shkak se shumë pak gjykatës pranuan të mbikëqyrin votimet.
Mohamed ElBaradei, fituesi i çmimit “Nobel” për paqen dhe kreu i opozitës, shkroi në internet: “Këmbëngulja për një referendum në një situatë shpërthyese, të polarizuar, kaotike dhe pa rend publik, po e dërgon vendin drejt katastrofës”.
Opozita është e paqartë nëse po mbështet “jo”-në apo abstenimin. Fundjavën e kaluar, Presidenti Morsi ofroi lëshim për opozitën duke anuluar një dekret që i jepte fuqi të jashtëzakonshme vetes.