Protestojnë banorët: Jemi pa ujë, instalimet duhet t’i bëjmë me paratë tona, faturat le t’i paguajmë aforfe
Banorët e pallateve në rrugën “Myslym Shyri” kanë protestuar dje, si dhe janë ankuar zyrtarisht pranë Drejtorisë së Ujësjellës- Kanalizimeve për instalimin e rrjetit të ri të ujësjellësit.
Ndërsa më parë tubacionet kanë qenë në material gizi dhe të instaluara brenda në mur, tanimë sipas projektit të ri, tubacionet janë vendosur në plastikë dhe janë lehtësisht të çmontueshme. Për t’i dëmtuar ato nuk duhet shumë fuqi, mund të bëhet fare mirë edhe nga ushtrimi i forcës së fëmijëve, të cilët mund të kenë gjetur lojën e tyre të re.
“Këto tubacione janë të dobëta, mund të thyhen dhe çmontohen fare thjesht, dhe nuk janë aspak të sigurta. Po ashtu edhe sahatet, ata janë plastike”, tha Sinani, njëri prej banorëve.
Në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë janë instaluar linjat e reja dhe banorët janë pa ujë të pijshëm. Që uji të mbërrijë në çezmat e tyre duhet që më parë ata të kryejnë instalimet.
“Duhet të heqim të gjitha pllakat e banjës, si dhe të bëjmë instalimet me paratë tona, duke blerë edhe pajisjet vetë. Jemi pa ujë, punëtorët na kanë hapur gropa, na kanë dëmtuar muret dhe janë larguar. Askush prej nesh nuk kërkoi ndërrim të kanalizimeve, paguanim rregullisht faturat aforfe”, sqaroi një tjetër banore.
Banorët janë të detyruar të blejnë sahatin e ri, i cili kushton 2900 lekë të reja.
Sipas punëtorëve të ujësjellësit, kjo masë ka ardhur për shkak të abuzimeve në rrjet, si dhe për shkak të mosleximit real të konsumit në çdo shtëpi.
Enti Rregullator i Ujit i ka vendosur detyrim Ujësjellës-Kanalizimeve të bëjnë investime të reja, të realizojnë vendosjen e sahateve të reja dhe të eliminojnë të gjithë konsumin abuziv.
Banorët e pallateve, të cilët deri më tani kanë paguar aforfe faturat e ujit të pijshëm ankohen ndaj Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Drejtoria ka nisur zbatimin e projektit, për vendosjen e matësve të rinj.
Për të vendosur matës të ujit, punëtorët e ujësjellësit kanë bërë instalime të reja, madje plastike, për përçimin e ujit të pijshëm deri në shkallë, por përveç kësaj u kërkon që të kryejnë punime në ambientet brenda shtëpive me shpenzimet e tyre, pasi në rast të kundërt nuk do të kenë ujë të pijshëm.
Nisur nga ankesat e banorëve, deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, i kërkon Drejtorisë së Ujësjellësit dhe Bashkisë së Tiranës që e ka në varësi ujësjellësin të merren masa të menjëhershme.
Ndërkohë, në zona të ndryshme të kryeqytetit ka ankesa se po u vidhen matësit e ujit të pijshëm dhe më pas u kërkohet të vendosen matës të rinj.