Shumë pyetje mbeten pa përgjigje për faktin se pse në SHBA ndodhin kaq shumë vrasje masive


Banorët e qytezës së vogël të Njutoun, Konetikat, mbajtën zi përgjatë të gjithë natës për një nga vrasjet masive më të mëdha në historinë e SHBA-së, ndërsa policia po kërkon përgjigje mbi shkaqet që e çuan një 20-vjeçar të vrasë 20 fëmijë në një shkollë fillore. Agresori, i identifikuar nga policia si Adam Lanza, hapi zjarr mëngjesin e së premtes në shkollën fillore “Sandy Hook”, ku mësojnë nxënës nga mosha 5 deri në 10 vjeç, dhe vrau së paku 26 njerëz para se të vriste edhe veten. Policia tha se një trup tjetër i pajetë u gjet në një skenë krimi të lidhur me vrasjet në shkollë. Media vendëse raportoi se bëhej fjalë për trupin e nënës së vrasësit.


Policia e Shtetit tha se shpresonte të grumbullonte më shumë informacion gjatë ditës së djeshme, duke përfshirë konfirmimin e identitetit të viktimave. Rreth 12 orë pas vrasjeve, policia filloi të lëvizë kufomat nga shkolla dhe të thërrasë prindërit për të kryer identifikimet.


Presidenti Barack Obama u kërkoi amerikanëve të bashkohen në solidaritet dhe lutje për viktimat, duke thënë se zemrat e prindërve në të gjithë vendin qenë “plot dhimbje”.


Ai bëri thirrje për “veprime kuptimplota për të parandaluar tragjedi të tilla”, por nuk sugjeroi ndonjë kërkesë për kontroll më të ashpër për armët e zjarrit. Presidenti fshiu lotët nga sytë e tij dhe i tha kombit përmes televizionit: “Zemrat tona janë thyer”.



Vrasjet e të premtes qenë ngjarja e dytë e këtij lloji këtë javë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar shumë tragjedi të tilla këtë vit. Debati mbi kontrollin e armëve të zjarrit është rigjallëruar, në një vend me kulturë të gjerë në përdorimin e armëve, si dhe me një lobim të fortë që diskurajon shumicën e politikanëve nga përpjekjet për të kufizuar disponueshmërinë e lehtë të armëve të dorës apo pushkëve.


Njutoun, një qytezë e pasur 80 milje në verilindje të Nju Jorkut, i vajtoi viktimat në vigjilje komunitare gjatë natës. “Ne po shkojmë të lutemi – kemi nevojë t’i lutemi Zotit që kjo gjë të mos ndodhë më askund”, tha Amelia Adams, 76, vjeç, ndërsa shkonte për te kisha katolike e Shën Rosës së Limës.


Rreth 1 mijë njerëz u mblodhën në këtë kishë që gjendet pak kilometra larg vendit të tragjedisë. “Qe thjeshtë brutale, nuk mund të mendoj për asnjë fjalë tjetër”, tha Monsinjor Robert Weiss pas shërbesës. Guvernatori i shtetit, Dannel Malloy, u tha gazetarëve se të premten ndodhi diçka e barabartë për nga dhimbja me atë që ndodhi më 11 shtator 2001 në Amerikë.


Media amerikane raportoi se Adam Lanza përdori armë dore Sig Sauer dhe Glock, ndërsa policia gjeti në vendngjarje edhe një karabinë M4. Bichael Bloomberg, themeluesi i grupit aktivist të kryebashkiakëve kundër armëve ilegale, bëri thirrje për masa më të ashpra në këtë drejtim.


Edhe udhëheqësit e botës shprehën dhimbjen e tyre duke ngushëlluar Shtetet e Bashkuara. Edhe Teherani dërgoi një letër ngushëllimi.