Enver Çoku, shefi i departamentit në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, u kap në flagrancë


Shefi i departamentit në Fakultetin e Gjeologjisë në Tiranë, Enver Çoku, 55 vjeç, është vënë në pranga për korrupsion. Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se Çoku është kapur në kushtet e flagrancës, teksa ishte duke i kthyer paratë studentit të Universitetit Politeknik të Tiranës, para të cilat ai ia kishte marrë për ta ndihmuar në disa provime. Në periudhën qershor-korrik studenti në fjalë i kishte dhënë shefit të departamentit rreth 750 mijë lekë të vjetra, me pretendimin se 55-vjeçari do ta ndihmonte në marrjen e gjashtë provimeve, me anë të njohjeve që ai kishte me pedagogët. Për çdo lëndë studenti duhej të paguante 200 mijë lekë. Paratë dyshohet se janë dhënë në sezonin qershor-korrik 2012. Në këtë periudhë studenti nuk ka arritur që të marrë asnjë provim. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në sezonin e vjeshtës shator-tetor.


Pasi studenti ka parë që është mashtruar nga shefi i departamentit në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, të Universitetit Politeknik të Tiranës, e ka denoncuar rastin në polici, pranë Krimit Ekonomik. Policia pas marrjes së deklaratës të studentit, nisi hetimet për rastin në fjalë. Janë dashur disa muaj hetime që ndaj pedagogut të mblidheshin prova që të çonin në arrestimin e tij.


Në momentin që Çoku është arrestuar, ka qenë në një lokal të Tiranës, për t’i kthyer studentit një shumë parash prej 100 mijë lekëve, për mosmbajtjen e premtimit. Në këtë moment ka ndërhyrë policia, e cila edhe e ka arrestuar. Mësohet se 55-vjeçari do të hetohet edhe për raste të tjerë korrupsioni. Sipas burimeve, Çoku e ka pranuar akuzën e ngritur për korrupsion, duke thënë se ka ushtruar pushtetin e tij, për të ndërhyrë te pedagogët, në mënyrë që të ndihmonte studentin në marrjen e disa provimeve. s.m