Partia Socialiste vijon denoncimet për pasuritë e politikanëve dhe të familjarëve të tyre. Sekretari i grupit të PS-së, Taulant Balla deklaroi dje se “pasurimi i kësaj zonjës Argita Berisha-Mallatezi nuk vjen vetëm nga mësimdhënia, megjithëse vetëm ky profesion i sjell 12 milionë lekë në çdo muaj. Nga vjelja e qirave, vajza e kryeministrit përfiton 42 milionë lekë në vit. Janë tre apartamente super luksoze në Tiranë, në Rrugën ‘Mustafa Matohit’, aty ku jeton edhe babagjyshi Kryeministër; në rrugën ‘Lidhja e Prizrenit’; dhe tek ‘European Trade Center’ (ETC), të cilat janë prona të zonjës Berisha dhe që ajo thotë se i ka dhënë me qira. Dhe çfarë qirash mblidhka: 900 euro në muaj, 1170 euro në muaj dhe 1450 euro në muaj. Për t’ju treguar më qartë shqiptarëve të thjeshtë dhe me plot halle se cila është diferenca e vërtetë ndërmjet tyre dhe vajzës së Kryeministrit, mjafton t’u themi se sipas deklaratave të pasurisë të kësaj zonje, për njërin nga këto apartamente, atë në rrugën Mustafa Matohiti, ajo ka shpenzuar plot 378 milionë lekë për ta blerë. Bëhet fjalë për një ‘shtim në sipërfaqen e apartamentit’, siç deklarohet nga vetë ajo, prej 121 metrash katrorë, vijuar nga blerja e një tjetër apartamenti tjetër në po atë kat, me një sipërfaqe prej 195 metrash katrorë, në total 316 metra katrorë apartament”, tha Balla.

Por, pronat e paluajtshme të Argita Berishës nuk mbarojnë këtu, tha Taulant Balla, i cili kërkoi sqarime nga vajza e kreut të qeverisë.


“Duam ta pyesim edhe për një vilë, qindra metra katrorë, në Gjirin e Lalzit, vend i preferuar për oborrin e pushtetit dhe rezidenca verore e bllokut të ri blu. Një super vilë, që po mbaron tashmë, pas shembjes së një vile tjetër. Sikur të mos mjaftonin gjithë këto 200 milionë të ardhura, në deklaratën e vitit të shkuar shtohen edhe rreth 8 mijë Euro, para xhepi, “pagesa të prapambetura nga aktiviteti tregtar”, që, sipas vetë kësaj zonje, e kishte ndërprerë dy vite më parë, për t’iu përkushtuar mësimdhënies”, – shtoi Balla.

16 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)