Sport Bulqiza shpall “Qytetar nderi” kampionin e botës Ismail Keta

Bulqiza shpall “Qytetar nderi” kampionin e botës Ismail Keta

2344
SHPËRNDAJE

Bulqizaku rifitoi gjerdanin në Kik e Taj Boks. Mirënjohje nga Akademia e Shkencave

Dy vëllezër nga Bulqiza, Ismail e Gjetan Keta, janë kthyer në dy meteorë të shndritshëm në Gjermani, ku garojnë në sportin e arteve marciale të Kik e Taj Boksit dhe Boksit profesionist. Ndërsa i dyti, Gjetani, premton shumë në boksin profesionist të kategorisë superiore. I pari, Ismaili, ose siç i thonë gjermanët, Xhoni, vetëm para pak ditësh ka rimarrë gjerdanin e artë, duke rifituar kështu titullin Kampion Bote në Kik e Taj Boks. Me këtë rast, në hotel “Tirana” është organizuar një mbrëmje e titulluar “mbrëmja e kampionëve”, ku morën pjesë miq, familjarë, sportistë, përfaqësues nga Akademia e Shkencave, MKTRS, deputetë dhe dashamirës të sportit të ardhur nga mbarë vendi dhe trevat shqiptare, për të promovuar titullin Kampion i Botës që Ismail Keta mori në sportin e arteve marciale Kik e Taj Boks në Dyseldorf të Gjermanisë. Në një fjalë të shkurtër të hapjes, Kampioni i Botës, Ismail Keta, pohoi se fitoren ua dedikon të gjithë shqiptarëve në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe festave të fundvitit. Kryetari i Bashkisë Bulqizë, zoti Roland Keta, i dorëzoi kampionit titullin e lartë “Qytetar nderi”, që Këshilli Bashkiak Bulqizë, me vendim unanim, ia akordoi kampionit të botës në Kik e Taj Boks, Ismail Keta. Përshëndetën me këtë rast kryetari i Bashkisë Bulqizë, zoti Roland Keta, i cili marrjen e titullit të lartë Kampion Bote nga djali i Bulqizës, Ismail Keta, e vlerësoi si dhuratën më të mirë që ai i bën vendit dhe gjithë shqiptarëve. Kanë vijuar përshëndetjet nga prefekti i Qarkut të Dibrës, Genci Sharku, kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, i cili në emër të Akademisë së Shkencave, i akordoi kampionit medaljen e mirënjohjes “Për rezultate të larta të arritura në Kik e Taj Boks”, fjala e të cilit ngjalli mjaft emocion kur ai citoi se kampioni i madh i botës, Ismail Keta, i bëri gjermanët që të pranojnë flamurin shqiptar, të cilin ai e vari në gjoks, si dhe fjalën e përshëndetjes në gjuhën shqipe.

H.Likdisha

Kampioni

Përshëndetje shqiptarëve në ceremoninë e titullit

Mbrëmjen e 1 dhjetorit 2012, Ismail Keta, alias Xhoni, ka rifituar titullin Kampion Bote në Kik dhe Taj Boks. Ai ka mundur në Dyseldorf të Gjermanisë, në raundin e tetë me nokaut, holandezin Remo Arnst. Ndeshja është zhvilluar në sallën Castello të Dyseldorfit, në prani të më shumë se 6000 shikuesve. Pikërisht në përvjetorin e 35 të lindjes së tij, djali me origjinë nga Bulqiza u shpall Kampioni i ri i Botës në këtë sport burrëror. Në muajin maj, në Mynih të Gjermanisë, Ismail Keta e kishte humbur titullin e tij botëror përballë po të njëjtit kundërshtar.

Pas ndeshjes që e shpalli sërish kampion bote, gjatë transmetimit direkt në televizionin gjerman SAT 1, Ismail Keta përshëndeti në gjuhën shqipe gjithë popullin shqiptar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ai deklaroi se ia kushton familjes dhe popullit shqiptar fitoren e tij të madhe.