Qeveria ka kërcënuar haptazi drejtuesit e kompanisë CEZ dhe të gjithë punonjësit e saj se do të përballen me masa të forta ligjore, deri në ndjekje penale, nëse vazhdojnë me kufizimet e paligjshme të energjisë.
Eno Bozdo, zv/ministër i METE, theksoi: “METE i kërkon CEZ të mos provokojë tension publik me anë të veprimeve të saj. Mosofrimi me dashje i një shërbimi publik të domosdoshëm përbën vepër penale, për të cilën do të përgjigjen të gjithë pa përjashtim”.
Zv/ministri i Energjetikës, Eno Bozdo, thotë se qeveria ka prova që në shumë raste ndërprerjet janë të qëllimshme ose për shkak të neglizhencës së kompanisë CEZ për të përmbushur detyrimet e saj ligjore: “Kemi prova se parametrat e stakimit të kabinave elektrike janë më të ulëta se normalja. Ato janë reduktuar nga vetë kompania CEZ duke sjellë ndërprerje më të shpeshta dhe pa shkak të energjisë elektrike”.
Situata e furnizimit me energji po përshkallëzohet javët e fundit, ku Tirana dhe rrethe të tjera të vendit po përballen me kufizime, të cilat në zona të caktuara kanë zgjatur edhe me ditë të tëra. Zyrtarisht kompania e shpërndarjes i ka justifikuar stakimet me avari në rrjet, por përtej shkaqeve kjo situatë së fundmi ka shkaktuar protesta, në disa zona të vendit.
16 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)