Një kufomë e seksit mashkull është gjetur poshtë një ure, në periferi të Tiranës. Trupi i pajetë është pikasur mbrëmjen e së shtunës, nga një kalimtar i rastit. Burime nga policia bëjnë me dije se trupi i gjetur në zonën e Tufinës, ende nuk është identifikuar dhe se me vete nuk i është gjetur asnjë dokument. Dyshohet që të jetë rreth 45-50 vjeç. Kalimtari ka parë nga larg një njeri të shtrirë dhe kur i është afruar, ka vënë re se ai ishte i vdekur. Menjëherë pas kësaj, kalimtari ka njoftuar policinë, e cila është nisur me urgjencë në vendin e ngjarjes. Pasi kanë marrë të gjitha provat e mundshme, materiale, trupi i pajetë është dërguar në morgun e Tiranës. Gjatë këqyrjes nga ana e ekspertëve, është vënë re se në trupin e tij, janë gjetur disa plagë të thella. Ato ndodheshin në shtyllën kurrizore. Paraprakisht policia dyshon se viktima ka gjetur vdekjen si pasojë e pakujdesisë. Ai ka rënë nga ura, poshtë së cilës kishte edhe disa gurë të mëdhenj. Rënia nga lartësia mund t’i ketë shkaktuar viktimës edhe vdekjen. Kufoma është ndarë nga jeta 3 ditë para se të gjendej nga kalimtari. Ende nuk dihet nëse ai e ka gjetur vdekjen e menjëhershme, prej plagës së marrë në shtyllën kurrizore, apo prej qëndrimit në një kohë të gjatë, poshtë urës. Policia thotë se ka njoftuar të gjithë familjarët që kanë denoncuar për zhdukjen e të afërmeve të tyre nga banesa, por askush nuk e ka njohur. Paraprakisht ngjarja dyshohet që të jetë aksidentale, por gjithsesi ende nuk është dalë në një konkluzion përfundimtar. Hetimet po vijojnë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. s.m