Shifrat 2012


Deri në tetor mblidhen 4.3 miliardë lekë, 160% më shumë se 2011


ARD KOLA


Në kohë krize, kur pesha e taksave konsiderohet barrë e rëndë për t’u përballuar nga biznesi, mundësitë për evazion janë të shumta, sikurse në kushtet e pakësimit të të ardhurave, aplikimi i gjobave si masë kompensuese për arkën e shtetit, shihet nga qeveria mjet i “nevojshëm”.


Qeveria thotë se aplikon nivelin më të ulët të taksave në rajon, duke u bazuar në “taksën e sheshtë”, por raporti i fundit i Bankës Botërore vërteton të kundërtën, duke na renditur të fundit mes fqinjëve konkurrues. Të dhënat nga Ministria e Financave, institucioni që menaxhon thesarin e shtetit, ose portën hyrëse dhe dalëse të parasë, tregojnë për një tendencë gjithnjë e në rritje të masës së gjobave, kryesisht ndaj biznesit.


Shtimi i kontrolleve dhe gjobave te biznesi, që është evident gjatë muajve të fundit, po reflektohet dhe në rritjen e të ardhurave nga gjobat në buxhet. Nëse hiqet rritja e të ardhurave nga ky zë, atëherë të ardhurat buxhetore do të rezultonin në rënie, me të paktën 4.3 miliardë lekë, niveli që përfaqëson zërin e të ardhurave nga burime “të tjera”. Ky burim të ardhurash po vjen gjithnjë e në rritje, kurse në raport me 2011, rezulton mbi 1100 për qind më i lartë.


Pothuajse, të gjitha llojet e ndryshme të taksave kanë pësuar rënie, përveç njërit zë, “gjobës”. Kështu, të ardhurat totale në buxhet u rritën me 2 për qind për periudhën janar-tetor 2012, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të buxhetit të konsoliduar për tetorin, të publikuara nga Ministria e Financave, por në raport me planin ato dilnin deficit rreth 18 miliardë lekë, ose 6.4 për qind më pak.


Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, një tregues i rëndësishëm i qarkullimit të aktivitetit ekonomik në vend, shënuan një rritje minimale prej 1.7 për qind, duke arritur në 97 miliardë lekë, megjithatë ritmet e rritjes janë përmirësuar gjatë muajve të fundit. Në raport me planin, TVSH del me 7 miliardë lekë më pak, ose 6.7 për qind minus. TVSH sjell të ardhurat kryesore në buxhet, me 35.5 për qind të totalit, në fund të tetorit 2012. Gjithashtu, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin kanë vijuar tendencën e tyre rënëse, duke u tkurrur me 16 për qind për periudhën janar-tetor, me bazë vjetore, një reflektim i situatës së vështirë që po kalojnë bizneset dhe rënies së të ardhurave nga tatim-fitimi i kompanisë shtetërore të prodhimit të energjisë, KESH. Në tkurrje janë dhe të ardhurat nga akciza, me rreth 6 për qind, që gjithashtu tregojnë një qarkullim më të pakët të mallrave në ekonomi.


Si paraqitet zëri i të ardhurave nga burimet e tjera? Sipas ligjit të buxhetit, ky zë përfshin disa lloje të ardhurash, por peshën kryesore e kanë gjobat. Ministria e Financave nuk e zbardh jo pa qëllim se çfarë përfaqëson shifra 4.3 miliardë lekë të ardhura nga ky zë i mistershëm, por në rrugë informale shpjegojnë se është kanali i deklarimit të gjobave të vendosura.


Deri në muajin tetor 2012, janë arkëtuar nga gjobat, siç e thamë rreth 4,3 miliardë lekë, me një rritje 1141 për qind në raport me planin (347 milionë lekë) dhe 116 për qind në raport me vitin 2011, kur ishin mbledhur rreth 1.6 miliardë lekë. Megjithatë, duke parë shifrat, viti 2010 vijon të mbetet “kampion” i vjeljes së gjobave, me një shifër prej mbi 8 miliardë lekësh.


Vetëm në muajin tetor ishin arkëtuar 164 milionë lekë, 38 për qind më pak se 2011, por më shumë se në periudhat e viteve të kaluara. Këtë vit, janë vendosur disa gjoba “VIP-ash”, si 3 miliardë lekë CEZ-it, apo 1.5 miliardë lekë “Bankers Petroleum”. Biznesi ankohet se tatimet po godasin rëndë me masat penalizuese, por Kryeministri vijon të pretendojë për klimë të butë dhe tepër miqësore me privatin.


Viti 2010 vijon të mbetet “kampion” i vjeljes së gjobave, me një shifër prej mbi 8 miliardë lekësh


Taksat


Pothuajse të gjitha llojet e taksave raportohen me rënie, kurse në total, qeveria si 10-mujor rezulton minus me 18 miliardë lekë ose 6.5% më pak se plani


Rastet, Ndëshkimet te VIP-at


Ky vit duket i “mbarë” për qeverinë shqiptare. Shifra e raportuar prej 4.3 miliardë lekësh pritet të rritet më tej. Vetëm nga dy kompani të mëdha, në sektorin e energjisë elektrike dhe karburantet, qeveria pret të arkëtojë afro 4.5 miliardë lekë. Gjoba e parë është shënuar në muajin gusht, ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje, për mosdeklarim të energjisë së humbur, që sipas tatimeve konsiderohet shkelje, duke e gjobitur me afro 3 miliardë lekë. Gjoba tjetër i takon “Bankers”, shoqëri kanadeze në fushën e naftës në vend, e cila deklaron se nga rivlerësimi i ligjit të ri të akcizave, duhet të paguajë shtesë 1.5 miliardë lekë. Plot kompani të tjera raportojnë nivele të konsiderueshme gjobash, por pa përmendur shifra, kryesisht në sektorët e ndërtimit, naftës, por edhe të shërbimit.


Situata


Dhoma Amerikane ngre shqetësimin për kontrollet e shpeshta, kurse shoqatat heshtin


Fushata e egër tatimore, frika


e bizneseve sjell përçarje


 


 


Nën zë, subjekte nga sektorë të ndryshëm, si dhe shoqata që i përfaqësojnë, pranojnë se klima me shtetin është rënduar. Raportohen shumë gjoba, në raport me periudhat e mëparshme, por pakkush ka kurajën të denoncojë publikisht rastet e konsideruara të padrejta.


Dhoma Amerikane e Tregtisë, ku bëjnë pjesë me qindra biznese të konsoliduara, ishte ndër të parat që ngriti zërin kundër fushatës së egër të administratës tatimore për vitin 2012. Kjo dhomë ftoi kreun e tatimeve, Gazmir Spahija, për t’u ballafaquar me anëtarët e saj, por drejtori i përgjithshëm iu shmang takimit.


“Po ndërmerret një fushatë e egër tatimore, ku inspektorët janë duke zbatuar një interpretim të ri të ligjit duke vendosur gjoba të rënda edhe për aktivitete të viteve të kaluara që kanë qenë madje të kontrolluara nga tatimorët. Një sjellje jo profesionale e inspektorëve tatimorë, mandati i të cilëve duket se është vetëm mbledhja e gjobave, edhe pse aktiviteti i biznesit është në përputhje me ligjin ekzistues”, deklaron presidenti i AmCham, David Anderson.


“Kontrolle të përsëritura dhe të pajustifikuara kanë vështirësuar jetën e biznesit. Kontrollet e mëparshme tatimore konsiderohen gabim nga inspektimet e tjera që vijnë më pas. Inspektorët ndryshojnë interpretimin dhe zbatimin e ligjit. Ka inspektorë që vazhdojnë të kontrollojnë e rikontrollojnë për të dhënat dhe veprimtarinë që nga viti 2006”, u shpreh juristi i dhomës, Genc Boga, para disa kohësh, kur tatimet sapo kishin nisur aksionet e shumta. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Nikolin Jaka, thotë se aplikimi i gjobave nuk është forma e duhur, por nevojitet bashkëpunimi mes qeverisë dhe sipërmarrësve. Me kalimin e kohës, qeveria ka rralluar takimet dhe forumet me bizneset vendase, duke u mjaftuar me disa konferenca “miqësie” me investitorë të huaj.


Sikur të mos mjaftonte kriza dhe ankesat e shumta, Ministria e Financave i propozoi qeverisë miratimin e disa ligjeve, ndër to edhe atë të “Procedurave tatimore”, ku njëri ndryshim sjell aplikimin e gjobave, me rritje 5-fish në raport me ligjin e mëparshëm. Ajo çfarë shikohet më shqetësuese është fakti i mungesës së bashkëpunimit ndërmjet shoqatave për ta trajtuar problemin në grup, pasi kështu të përçarë, askush nuk do të jetë në gjendje të zgjidhë problemin e të gjithëve, por vetëm të një grupi të caktuar.


A.Kola


“Një sjellje joprofesionale e inspektorëve, mandati i të cilëve duket se është vetëm mbledhja e gjobave”