Hajnrih Hajnia (Heinrich Heine) në kulmin e lavdisë, si poet e prozator i rangut botëror
Me rastin e 215-vjetorit të lindjes(13 dhjetor 1797 – 13 dhjetor 2012)
NAIM KRYEZIU*
Për asnjë figurë tjetër të madhe të letërsisë gjermane nuk është diskutuar aq ashpër e aq gjatë sa për Hajnrih Hajnen. Për asnjë tjetër mendjet e shquara nuk kanë qenë aq të ndara mes tyre sa për hebreun gjerman të mërguar në Paris. Dhe asnjë tjetër nuk është hedhur poshtë e nuk është përndjekur aq shumë në atdheun e vet sa ky “rrëmujaxhi frankofil” e “vatërnjollosës”.
Vetëm në fund të viteve tetëdhjetë të shekullit që sapo kemi lënë pas, “grindja proverbiale për Hajnen” u shndërrua në të kundërtën e saj. Sot mbi luftëtarin e lirisë e të përparimit nuk hidhet më baltë, sot ai përkujtohet e nderohet kudo. Thuajse asnjë prej klasikëve të hershëm nuk duket të jetë aq popullor dhe nuk citohet aq shpesh në mjetet e informacionit sa Hajnrih Hajnia. Për të parën herë qysh prej më se një shekulli e gjysmë, sundon tani një mendim i përbashkët lidhur me rangun artistik të këtij poeti e prozatori.
Në vitin 1997, Hajnrih Hajnia ishte në kulmin e lavdisë së vet. Ai u njoh për të parën herë nga të gjithë si poet e prozator i rangut botëror. Programi i gjerë kulturor e shkencor i 200-vjetorit të lindjes së Hajnes arriti të shënonte jo vetëm një sukses të madh e të papritur, por edhe një interesim të ri për personalitetin, për veprën e për ndikimin e këtij poeti e prozatori të shquar.
Në periudhën kalimtare nga rendi shoqëror feudal në shoqërinë klasore borgjeze, shfaqet në Gjermani një shkrimtar i ri e aktual, i quajtur poet tipik, që ngërthente në vetvete thuajse të gjitha tiparet thelbësore të intelektualit kritik e modern. Siç dihet, koncepti i intelektualit lindi për herë të parë më 1898-n, gjatë procesit të Drajfusit, por figura e tij është më e moçme sesa përdorimi normativ i kësaj fjale. Para se “intelektualët” të protestonin publikisht, ekzistonin tashmë intelektualë të veçuar, te mishërimi krejt i hershëm i të cilëve bën pjesë edhe shkrimtari aktual Hajne.
Gjinia e parapëlqyer për shkrimtarin e kohës është proza, nëpërmjet së cilës realiteti i ri borgjez mund të shprehet më mirë e në mënyrë më të përshtatshme sesa nëpërmjet fjalës poetike. Shkrimtarët e rinj gjermanë nisën t’i jepnin rëndësi “emancipimit të prozës” ose të përshëndesnin kalimin në një prozë poetike, duke thënë se proza ishte gjuha e tyre e zakonshme dhe njëherazi buka e tyre e përditshme, se vetveten e të drejtat e tyre mund t’i mbronin më me forcë në prozë sesa në vargje. Ky proces, ku dëshmohet largimi prej normave klasiko-romantike të poezisë lirike, u krye në mënyrë të plotë për brezin e ri në prozën novatore dhe eksperimentale të Hajnes. Vepra e tij “Tablo udhëtimi”, e cila solli një gjini të re letrare, ndikoi te brezi i ri i shkrimtarëve duke krijuar një formë e një stil të ri, sepse përzierja e elementeve të ndryshme të formës, përzierje që nuk lejohej në estetikën klasike, ndihmonte për të dhënë një tablo më të saktë të kohës. Kësisoj, kronikat dhe reportazhet e Hajnes nga Parisi, ku shkrimtari aktual bëhej historian i kohës, arritën, duke qenë një gjini e re në prozë, të gjenin imitues të panumërt, sepse ngërthenin në vetvete aspekte gjer atëherë të panjohura të një realiteti gjithnjë e më kompleks. Shkrimet letraro-filozofike të Hajnes ndikuan edhe në eseistikën moderne. Natyra moderne e tyre u njoh nga shkrimtarët e rinj gjermanë, ndërsa shembulli i tyre mbetet i padiskutueshëm edhe sot e kësaj dite.
Në luftën e tij publicistike kundër rrethanash e idesh historike të vjetruara, Hajnia përdori me vendosmëri qysh në fillim “armët” e reja, me qëllim që të fitonte në publik më shumë terren e të pushtonte më shumë mendje. Gjatë viteve studentore në Berlin punoi si korrespondent shtypi dhe, kur e mbaroi universitetin e atjeshëm, kishte botuar nëpër revista më se pesëdhjetë artikuj. Më pas, thuajse të gjitha veprat e veta i botonte së pari në shtypin periodik. Ky shndërrim “nga poet e prozator me prejardhje klasiko-romantike në poet e prozator modern”, shndërrim i nxitur me vendosmëri nëpërmjet Hajnes, bëri që të lëkundeshin parimet themelore të kohës së Gëtes, ku i jepej përparësi botës moralo-estetike ndaj realitetit empirik. Arti dhe realiteti, poezia dhe politika, shkathtësia dhe angazhimi s’mund të ndahen më në atë mënyrën e njohur, përkundrazi, kërkojnë ndërmjetësim, të cilin Hajnia e kërkoi teorikisht dhe e zgjidhi praktikisht.
Hajnia e pati njohur shumë herët detyrën e madhe që u takonte betejave publicistike në kushtet e periudhës nga viti 1815 gjer në revolucionin e marsit 1848. Qysh në vitin 1822 ai shkruante se “shtypi është armë”, kurse gjashtë vjet më vonë bëri deklaratën e njohur gjerësisht: “Ka ardhur koha e luftës së ideve, dhe gazetat janë bastionet tona.”
Që nga këto bastione Hajnia ka zhvilluar me rreptësi betejën e vet jetike, si “ushtar trim” në vitet 1820 dhe, më së fundi, në vitet 1850, si “rojë e humbur në luftën për liri”, i plagosur rëndë, por “i pamposhtur”. Nga të njëjtat bastione, kur “lufta”, pas vitit 1830, hyri në një fazë të re dhe përfshiu të gjitha fushat e jetës, ai jepte kushtrimet për luftë, bënte thirrje për të rrokur armët dhe i binte tamburit për kryengritje. Që nga këto bastione ai marshonte vetë i pari me shpatë në dorë, dhe në flamurin e tij pati shkruar: “Unë jam bir i revolucionit dhe do t’i rrok sërish armët mbrojtëse.”
Sipas Hajnes, shkrimtarët dhe intelektualët, krahas misionit luftarak, duhet të luajnë një rol të pazëvendësueshëm bash në përgatitjen e revolucionit, dhe atyre u takon detyra e domosdoshme për sqarimin dhe edukimin e popullit akoma të paditur. Me “armën e kritikës” ai dha në vitet 1830 një ndihmë thelbësore për ftillimin e së kaluarës e të së tashmes kulturore e politike të Gjermanisë.
“Lufta e ideve” e Hajnes në Gjermaninë e prapambetur kërkon troç përmbushjen e idealeve të iluminizmit e të Revolucionit francez: liri e barazi, të drejta të njeriut e të popujve, demokraci e kozmopolitizëm. Ndërsa nga njëra anë bënte thirrje pareshtur: “Luftë pallateve!”, në anën tjetër predikonte pareshtur: “Paqe kasolleve!” Krejtësisht në këtë frymë, kur u përpoq t’u shtjellonte gjermanëve rrethanat franceze dhe francezëve filozofinë e poezinë gjermane si material për të dhënë e për të marrë mësim, Hajnia gjeti në vitin 1833 një përkufizim të goditur e bindës për detyrën e tij, përkufizim që deri më sot nuk ka humbur asgjë nga vlera e vet. Si bashkëpunëtor i revistës të sapothemeluar me emrin karakteristik “L’ëropë litererë“, ku u botuan kapitujt e parë të “Shkollës romantike“, i dërgoi një mikut të vet hamburgas këto shpjegime: “Në atë revistë do të bëj gjithçka që të jetë e mundur për t’i njohur francezët me jetën shpirtërore të gjermanëve, sepse kjo është tani detyra ime jetike”, dhe shtonte ato fjalët e famshme e krenare: “Dhe mbase kam sidomos misionin paqësor për t’i afruar popujt më pranë njëri-tjetrit.” Gjithashtu Hajnia e ka të qartë përmbajtjen subversive të “misionit paqësor” që ka marrë përsipër, sepse në epokën kur po lindte nacionalizmi ai ka pikasur diçka të rëndësishme përderisa thotë: “Por këtë, domethënë pajtimin e popujve, aristokratët e kanë frikë më shumë se kushdo tjetër, sepse me shpartallimin e paragjykimeve nacionale, me zhdukjen e mendjengushtësisë patriotike asgjësohet më i miri mjet ndihmës i tyre për të nënshtruar të tjerët. Kësisoj unë jam mishërimi i kozmopolitizmit.” Ndërsimi i popujve i ka shërbyer asokohe mbajtjes së pushtetit historikisht të tejkaluar, por edhe sot e kësaj dite ndërsimi i popujve përbën akoma një terren të favorshëm për racizëm e për ksenofobi.
Paqja që synon “misioni paqësor” i Hajnes ka kësisoj si qëllim Aleancën e Shenjtë të popujve, krejt ndryshe nga aleanca e monarkëve; ky mision kërkon, sipas fjalëve të Hajnes në parathënien e librit “Për situatën franceze“, “aleancën e madhe të popujve” dhe jo aleancën e princave, ai kërkon paqe për kasollet e popujve dhe luftë kundër pallateve të princave. Ndaj dhe “mision paqësor” do të thotë medoemos kryqëzatë e përhershme kundër nacionalizmit e shovinizmit gjerman, që nxjerrin krye e që Hajnia i ka luftuar me vendosmëri në tërë veprën e vet. Këtu qëndron, tekefundit, edhe arsyeja e kundërvënies tejet të ashpër e të përjetshme ndaj atyre shkrimtarëve e mendimtarëve gjermanë që, në vend të emancipimit të popujve, kanë kërkuar forcimin e pallateve. Por ndërkaq, misioni kozmopolit, në mendimin e Hajnes, nuk e përjashton kurrsesi patriotizmin, veçse vë një vijë të qartë ndarëse midis patriotizmit të rremë dhe patriotizmit të vërtetë. Në testamentin frëngjisht të hartuar në vitin 1851, ai e shpreh me këto fjalë amanetin e vet: “La grande affaire de ma vie était de travailler à l’entente cordiale entre l’Allemagne et la France, à déjouer les artifices des ennemis de la démocratie qui exploitent à leur profit les animosités et les préjugés internationaux.” (“Çështja e madhe e jetës sime ka qenë të punoja për mirëkuptimin e përzemërt midis Gjermanisë e Francës, për demaskimin e dredhive të armiqve të demokracisë, të cilët shfrytëzojnë, për interesin e tyre, mëritë dhe paragjykimet ndërkombëtare.”) Vallë cili shkrimtar i kohës së tij mund të kishte pohuar për vete: “Je crois avoir bien mérité autant de mes conpatriotes que de Français.” (“Besoj se u kam shërbyer po aq bashkatdhetarëve të mi sa edhe francezëve që të jenë mirënjohës ndaj meje.”)
Pohimet militante dhe metaforike ose simbolika luftarake nxjerrin në pah besimin e Hajnes te fjala e lirë: “Shpata ime është pena ime”, i shkruante ai më 6 shkurt 1846 botuesit të vet hamburgas, dhe asgjë nuk bën të mendosh se ka dyshuar ndonjëherë në këtë besim.
*Doktor i shkencave filologjike