Publikohet ekspertiza mjekoligjore për 66-vjeçarin Fisnik Spahiu, i cili prej 7 ditësh ishte shpallur në kërkim nga të afërmit dhe policia. I moshuari është gjetur në periferi të kryeqytetit, në Sauk, nga një kalimtar i rastit. Kufoma është dërguar në morgun e QSUT-së për t’iu nënshtruar këqyrjes nga ekspertët, të cilët kanë dalë në konkluzionin se Spahiu ka gjetur vdekjen si pasojë e të ftohtit. Burimet bëjnë me dije se viktima teksa ka qenë duke ecur në rrugë, është përplasur me murin e avllisë dhe më pas është rrëzuar në një kanal me ujë. Në raport thuhet se temperaturat e ulëta dhe rënia e trupin në kontakt me ujin, ka bërë që 66-vjeçari të humbë ndjenjat dhe më pas të vdesë.
Ky konkluzion mbyll dosjen e zhdukjes dhe vdekjes misterioze të Fisnik Spahiut, i cili sapo ishte liruar nga burgu. Ai i kishte ndërprerë kontaktet me të motrën, Mimoza Shehin, që prej së shtunës së kaluar. Pas 24 orësh familjarët e kanë denoncuar zhdukjen e tij në Komisariatin Nr. 3, për të nisur kërkimet. Ai nuk largohej nga banesa, por pasditen e së shtunës i është drejtuar një azili privat pleqsh, për t’u regjistruar. Viktima ka humbur jetën dy ditë para se të gjendej trupi në një kanal të ujërave të zeza, nga një banor i zonës.