Dymbëdhjetë vajza, tetë djem dhe gjashtë të rritur janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në shkollën fillore “Sandy Hook” në Konektikat, SHBA.
Kryeshefi i mjekësisë ligjore, Wayne Carver, ka bërë të ditur se të gjithë fëmijët kanë qenë të moshës 6 dhe 7 vjeç. Sipas autoriteteve mjekësore, viktimat janë qëlluar disa herë.
Policia ka thënë se ka gjetur “prova të mëdha”, për të cilat shpreson se do t’iu japin përgjigje motiveve të sulmit. Sulmuesi, i identifikuar si Adam Lanza, ka vrarë nënën e tij, përpara se të shkonte në shkollë dhe të hapte zjarr ndaj fëmijëve dhe mësimdhënëseve.
Ndërkohë, sipas të dhënave paraprake mësohet se Lanza, një ditë para masakrës në shkollën fillore në Konektikat ka pasur një zënkë me katër mësuese të kësaj shkolle, tre nga të cilat rezultojnë të vrara në sulmin e përgjakshëm të 20 vjeçarit, ndërsa njëra prej tyre nuk ka qenë në punë ditën e tragjedisë dhe përbën një dëshmitare kyç për policinë për të zbardhur motivet e ngjarjes së rëndë.
16 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)