Kryesoret PD heziton për rezolutën çame.Grupi parlamentar pa qëndrim

PD heziton për rezolutën çame.Grupi parlamentar pa qëndrim

171
3
SHPËRNDAJE

Paloka: Nuk kemi marrë vendim për këtë çështje. Nesër diskutimi

Fatjona Mejdini

Pavarësisht se deputetët e Parlamentit shqiptar janë shprehur pro zgjidhjes së çështjes çame, hezitimi për miratimin e rezolutës së paraqitur nga PDIU-ja në Kuvend është i dukshëm. Kjo, për shkak të presionit të madh që po bën pala greke në rast të miratimit të kësaj rezolute, presion i cili mund të përkthehet në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, apo edhe me një presion me veton kundër integrimit në Bashkimin Europian. Pavarësisht se partia më e madhe e mazhorancës, Partia Demokratike, duhet të ishte në radhën e parë të mbështetjes së kësaj nisme, ende nuk ka një qëndrim zyrtar të shprehur nga kjo parti për mbështetjen apo jo të rezolutës. Nga ana tjetër, pavarësisht se disa deputetë të Partisë Socialiste kanë shprehur mbështetjen e tyre individuale ndaj kësaj nisme, ende nuk ka një qëndrim zyrtar pro apo kundër për votimin që pritet në Kuvend të kësaj rezolute. Partia e vetme, e cila është shprehur qartë se do ta miratojë rezolutën në Parlament, është Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës, e cila ka lidhur gjithashtu një marrëveshje të ngushtë bashkëpunimi me Partinë Drejtësi Integrim dhe Unitet të Shpëtim Idrizit. Një tjetër çështje e lënë pezull aktualisht është dhe koha në të cilën kjo rezolutë do të miratohet. Aktualisht deri në fund të vitit miratimi i saj në Kuvend nuk është përfshirë në kalendarin e punimeve. Por një vullnet i përbashkët i forcave politike mund të bënte që me nismën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, kjo nismë të miratohej brenda këtij viti. Por fakti që miratimi i saj konsiderohet si delikat, pritet që janari të jetë muaji kur Kuvendi do të kalojë “provën e zjarrit”.

PD

Partia më e madhe qeverisëse në vend ende nuk ka një vendim për sa i përket votimit apo jo të rezolutës për çështjen çame. I pyetur nga “Shqip”, nënkryetari i grupit demokrat, Edi Paloka, theksoi se ky grup ende nuk kishte marrë një vendim në lidhje me këtë çështje. Nesër, sipas burimeve, kjo çështje pritet të diskutohet në grupin parlamentar të Partisë Demokratike dhe aty pritet të kuptohet edhe qëndrimi i grupit më të madh të deputetëve në Parlament. Ende nuk dihet sesi do të jetë ky qëndrim, pasi kryetari i kësaj partie, njëkohësisht Kryeministri Berisha, duket se e ndien më shumë nga gjithë të tjerët presionin e palës greke për këtë hap që pritet të hedhë Parlamenti i Shqipërisë.

PS

Deputetë të Partisë Socialiste janë shprehur pro miratimit të një rezolute të tillë, por ashtu si në rastin e PD-së, do të jetë vendimi i grupit parlamentar ai që do të përcaktojë qëndrimin përfundimtar të partisë më të madhe në opozitë. Diskutimi i kësaj çështjeje është shmangur javët e fundit nga ana e lidershipit të PS-së dhe ende nuk mund të parashikohet me saktësi se cili do të jetë qëndrimi i socialistëve.

LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim është treguar më e qartë në qëndrimin e saj ndaj rezolutës për çështjen çame. Drejtues të kësaj lëvizje kanë siguruar mbështetjen me votë ndaj një nisme të tillë, duke siguruar kështu minimalisht katër vota mbështetëse ndaj rezolutës, e cila aktualisht është e depozituar në Parlamentin e Shqipërisë. Ky qëndrim i LSI-së vjen dhe për shkak të faktit se mes kësaj partie dhe PDIU-së është nënshkruar një marrëveshje, e cila flet për një bashkëpunim të fortë parlamentar mes këtyre forcave dhe po kështu i jap rrugën një bashkëpunimit të tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Teksti

Në tekstin e rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame, kërkohet njohja e plotë e të gjitha të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë

Votat

Aktualisht, rezoluta e PDIU-së ka të sigurta gjashtë vota në Parlament, si rezultat i bashkëpunimit mes kësaj force me LSI-në

Pritshmëria

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka theksuar se ai pret që rezoluta çame të miratohet me 139 vota në Parlament dhe me votën e vetme kundër të Vangjel Dules

Nisma

 Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet inicion peticionin kombëtar për rezolutën

Idrizi: Ne, pjesë e qeverisë në vitin 2013 me çdo mazhorancë

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet pritet të jetë pjesë e çdo qeverie shqiptare, pa qenë besnike e asnjë force politike në vend, por vetëm e kauzës për zgjidhjen e çështjes çame. Kjo u bë e ditur dje nga ana e kryetarit të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të kësaj partie, ku u diskutua plani për projektrezolutën çame. Sipas Idrizit, kauza çame ishte qëllimi kryesor i kësaj partie, kështu që interesi për ta pasur atë afër qeverive shqiptare prevalonte mbi të gjitha të tjerat. Përpara përfaqësuesve të PDIU-së, Idrizi prezantoi strategjinë e zgjidhjes së çështjes çame, hapat e të cilës janë të përqendruara në vetvete në rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame. Idrizi shprehu dje bindjen se rezoluta do të kalojë me vullnetin e të gjithë deputetëve, duke u ndalur te fakti se para së gjithash votat e deputetëve ishin vota individuale të qytetarëve shqiptarë. Ai theksoi se rezoluta është në përputhje me parimet ndërkombëtare dhe kërkon vetëm zbatimin e të drejtave dhe lirive kryesore të njeriut, duke respektuar raportet e fqinjësinë e mirë. “Sot jemi më të vendosur se kurrë ta çojmë amanetin tonë në vend. Sot, para gjithë kombit e botës, ky amanet ka marrë formën e rezolutës parlamentare. Aty janë porositë për t’u kthyer në tokën e të parëve, për të parë varret, për pronat. Ky tekst është sot publik në dritën e diellit, sot kemi detyrë ta mbrojmë. Ne bazohemi mbi konventat europiane të të drejtave të njeriut, bazohemi te vlerat që kanë ndërtuar botën demokratike. Ata që s’thonë asnjë fjalë të mira të paktën ta dëgjojnë rezolutën. Është akt bashkimi dhe jo ndarjeje. Është një platformë e studiuar mirë, është dokumenti më i rëndësishëm, që i vë kapak çështjes çame, kësaj plage të hapur të çështjes sonë kombëtare”, deklaroi Idrizi, duke shtuar se kjo rezolutë duhej të mbështetej pa hezitim nga çdo qytetar shqiptar. Presidenti i Nderit i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Tahir Muhedini, në fjalën e tij theksoi se të gjithë shqiptarët duhet të jenë të bashkuar rreth kësaj rezolute dhe mendimet kundër saj vijnë ndesh me çështjet e kombit tonë. “Dëgjohen zëra se përse rezoluta u propozua tani. Këta zëra janë pa kuptim. Sot janë ndërlidhur për herë të parë tri fakte, që të gjitha partitë kanë në program çështjen çame, që patriotizmi është në qendër të politikës dhe që komuniteti është më i bashkuar”, deklaroi Muhedini. Kryetari i shoqatës “Çamëria”, Ardian Tana, deklaroi se kjo rezolutë është në vazhdën e përpjekjeve 22-vjeçare të shqiptarëve të Çamërisë, nëpërmjet shoqatës së parë të regjistruar pas regjimit komunist, që ishte shoqata “Çamëria”.

Precedenti

Në vitin 2004, Parlamenti i Shqipërisë dështoi në miratimin e një rezolute për çështjen çame. Deputetët tetë vite më parë lanë sallën gjatë kohës së diskutimit të saj.

Kreu i PBDNJ

Dule: Historia nuk mund të ribëhet dhe parashkruhet

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, thekson se në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë nuk ka një kauzë çame. Në një intervistë për revistën “Java”, Dule kritikoi PDIU-në, duke theksuar se forcat politike që e propagandojnë këtë çështje, janë të orientuara drejt së shkuarës, që i hakërrehen të ardhmes dhe frymës së saj. I pyetur për kauzën çame, ai theksoi: “Për çfarë kauze e keni fjalën? Historia nuk ribëhet, nuk negociohet dhe nuk parashkruhet. Status quo-ja në Europën e sotme është produkt i vendimeve të forcave të mëdha fituese të Luftës II Botërore, ku fatet e secilit shtet, popull, apo individ u vendosën me kriter qëndrimin e mbajtur në ato momente…”, theksoi Dule.

Mediat greke

“Kathimerini”: Erërat nacionaliste po fryjnë fort shumë pranë nesh

Gazeta e njohur greke “Kathimerini”, në një opinion të shkruar pak ditë më parë, ka shprehur qëndrimin se nëse një rezolutë për këtë çështje do të kalonte në Parlamentin shqiptar, atëherë marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë do të rrezikoheshin. “Gjërat janë krejtësisht ndryshe tani. Erërat e nacionalizmit, që ka mbytur në gjak Ballkanin Perëndimor, po fryjnë në këtë vend. Aty po fitojnë terren partitë politike dhe organizatat që mbajnë lart flamurin kombëtar”, shkruan gazeta e njohur helene. Sipas saj, pala greke nuk do ta pranonte asnjëherë diskutimin e një çështjeje të tillë me palën shqiptare, pasi e konsideron atë të mbyllur dhe pa impakt te marrëdhëniet e sotme.

  • Kerpaci

    As ka pse te hezitoje fare as PD dhe as PS. Problemi eshte me se i qarte dhe mund te zgjidhet vetem me nje aleance te Idrizit me Dulen. Partite e verteta shqiptare duhet te futen ne loje kur Idrizi te mesoj te mos tunde kembet dhe se pari te shpreh njehere mirenjohjen per shqiptaret ne pergjithesi e ne menyre te vecante per Enver Hoxhen qe ne kohet e tij me te veshtira, u hapi dyert dhe i trajtoi shume me mire nga gjithe shtetasit e ketushem. Te tjerat jane dhe me te larmishme e nga c’po duket puna, po vjen koha qe te hapet kutija e Pandores, me qe Idrizet kane nisur te tundin kembet ose te shkoje e tyre, ose te hidhet ne ere edhe kjo cope Shqiperi qe ka mbetur.

  • tt

    Me ceshtjen came do ti dali boja “nacionalizmit”te Sal zagarit

  • patrioti

    Per cfare rezolute dhe cfare cameri po flisni ajo pjese e Epirit qe ne kohet e lashta identifikohet si Thesproti. Ne periudhen e zymte te pushtimit osman banoret e zones afer lumit Thyamys ( fjale nga greqeshtja lexoje ne hartat e lashta) quheshin ne djalektin e basarduar te pushtuesve lumi Cam (sic quhet Argjirokastra ne barbarisht Gjinokaster ). Lexoni ne websiten “zeri i camerise” bemat e tyre ndaj populates se krishtere arvanitase, greke perkrahe osmaneve…Historia flet vetem te verteten.