Bashkia e Tiranës: Lehtësimi do të sjellë ulje të çmimeve për librat dhe lulet natyrale


Bashkia e Tiranës ka vendosur të çlirojë nga tarifa vendore subjektet që tregtojnë libra dhe lule natyrale. Librashitësit dhe luleshitësit do të paguajnë vetëm 30 për qind të taksës së biznesit të ulët. Ndërkohë që pas tyre bashkia ka në diskutim të çlirojë nga taksa edhe artizanët, të cilët do të vendosen për të tregtuar produktet e tyre në tregje të veçanta me taksë zero.


Vendimi për libraritë dhe dyqanet e luleve do të miratohet në parlamentin vendor më datë 24 dhjetor, ndërkohë që ekspertët e bashkisë kanë menduar të heqin nga detyrimet fiskale edhe 30 biznese, të cilat u dëmtuan gjatë një zjarri të rënë pak kohë më parë në ish-kombinatin ushqimor.


“Referuar aktivitetit të kufizuar në artikuj dhe në xhiro, për subjektet librashitës dhe luleshitës, që tregtojnë vetëm libra dhe lule zbukurimi, aktualisht aktivitet i kufizuar në numër dhe shtrirje territoriale, propozohen lehtësira fiskale vetëm për subjektet biznes i vogël duke ulur detyrimin e taksës së biznesit të vogël në masën 30%”, thuhet në projektvendimin e bashkisë.


Ulja e taksës do të ndikojë në rritjen në numër të këtyre subjekteve, në zgjerimin e aktiviteteve ekzistuese dhe në uljen e çmimeve të produkteve që ato tregtojnë për të plotësuar sa më mirë kërkesat e qytetarëve.


Nisur nga gjendja aktuale e numrit të tyre, me 16 luleshitës dhe 18 librashitës vetëm nga BV, xhiroja vjetore e tyre është përkatësisht 1 251 000 lekë për librashitësit dhe për luleshitësit xhiro vjetore e deklaruar është 1 252 000 lekë. Ndërkohë, detyrimi i llogaritur për këto dy kategori është 875 700 lekë në vit për librashitësit dhe 876 400 lekë në vit për luleshitësit. Si rezultat i lehtësirave fiskale të propozuara, do të kemi një ulje të ardhurash prej 375 300 lekësh në vit nga librashitësit dhe 375 600 lekë në vit nga luleshitësit. L.Mixha