Zgjedhjet në SHBA
Republikanët arritën të ruajnë mazhorancën e tyre në kongresin e Shteteve të Bashkuara, pjesërisht falë avantazheve që krijuan nga mënyra e ndarjes së zonave elektorale në disa shtete kyçe, raporton “The New York Times”. Shteti i Uiskonsit qe një shembull i qartë për këtë. Banorët e këtij shteti votuan për demokratët në mazhorancë, por ndarja e hartës elektorale për tetë vendet në kongres, i ndihmoi republikanët të marrin në këtë shtet pesë kongresmenë nga tre që morën demokratët. Në total, kandidatët demokratë për kongresin morën 83 mijë vota më shumë, por morën më pak kongresmenë.
Ndarja e hartës elektorale sipas interesave të palëve është një fenomen shumë i njohur në politikën e botës. Edhe në shtete të tjera që votuan për demokratët, si Virxhinia, u përsërit i njëjti fenomen.