Qenë nisur për të manifestuar kundër Putinit, bllokohen pa nisur ende


Policia, kundër protestave në Rusi, arrestoi katër udhëheqës të opozitës dje për t’i ndaluar ata të marrin pjesë në një manifestim kundër Presidentit Vladimir Putin, manifestim për të cilin policia nuk ka dhënë leje. Protesta u planifikua të zhvillohet para zyrave të ish- Shërbimit Sekret Sovjetik KGB. Manifestimi synonte të përkujtonte përvjetorin e parë të demonstratave që u organizuan kundër Putin vitin e kaluar, të parat protesta masive të shënuara gjatë sundimit të tij 13-vjeçar. Policia mbajti sheshet nën kontroll, ndërsa helikopterët fluturuan me shumicë mbi kokat e protestuesve. Pavarësisht pengesave, disa protestues dolën në rrugë dhe thirrën “lironi të burgosurit politikë” dhe “poshtë shteti policor”.


Politikani i majtë, Sergei Udaltsov, dhe blogeri antikorrupsion, Alexei Navalny, u arrestuan në sheshin Lubjanka, ku dëshmitarët thanë se qenë mbledhur rreth 2 mijë njerëz. Udhëheqësit e tjerë të protestës Ilya Yashin dhe Ksenia Sobchak u arrestuan rrugës për te sheshi.


Sobchak u bashkua me protestuesit pavarësisht se babai i saj ka qenë dikur kryebashkiak i Shën Petersburgut dhe aleat i ngushtë i Putinit.


Protestat filluan një vit më parë nën dyshimin se partia e Putinit, Rusia e Bashkuar, po organizonte manipulim në shkallë të gjerë të zgjedhjeve parlamentare. Opozitarët thonë se dominimi i Rusisë nga Putini po e dëmton vendin politikisht dhe ekonomikisht me stanjacion në një kohë kur ka nevojë për reforma.


Protestat arritën kulmin në fillim të vitit 2012, por filluan të dobësohen, pasi Putini u rizgjodh si president me dy të tretat e votave në mars. Rusia tashmë ka krijuar një grup nga shoqëria civile që duket grupimi më i fuqishëm opozitar që nga koha e rënies së Bashkimit Sovjetik, por udhëheqësit e opozitës akuzojnë se Putini po e shtyp me dhunë opozitën dhe lirinë e fjalës. Disa ligje janë miratuar gjatë kësaj kohe në Rusi, duke zgjeruar përkufizimin e tradhtisë, duke rritur masën e ndëshkimit për protestuesit, si dhe për të rritur kontrollin mbi internetin apo financimet e shoqërisë civile.