Sondazhi: Është kryer nga fondacioni “Kult” me qendër në Tetovë dhe e prezantuar nga Naim Zengu
Datat: Sondazhi është zhvilluar nga datat 8-14 dhjetor dhe është zhvilluar në dy faza të caktuara
Numri: Autorët e sondazhit kanë intervistuar 1200 shqiptarë me anë të pyetësorit fizik në shtëpitë e tyre
Hidhet në treg studimi i parë mbi preferencën publike të shqiptarëve. AK, surpriza e zgjedhjeve të 2013-s
Ylli Pata
Gjashtë muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 publikohet i pari sondazh mbi perceptimin e zgjedhësve shqiptarë, ndërkohë që partitë politike vazhdojnë të kryejnë sondazhe dhe ta mbajnë për vete rezultatin e tyre. Dhe mbi bazën e këtyre sondazheve “private” ndodh reagimi politik i grupimeve kryesore në vend. Një organizëm jo qeveritar dhe jo fitimprurës me qendër në Tetovë, ka publikuar dje një sondash, sipas të cilit opozita shqiptare do të ketë së bashku 54.1% të votave të shqiptarëve, ndërsa Partia Socialiste do të mbajë primatin, por jo numrat për të qeverisur e vetme. Ndërkohë, Partia Demokratike ka preferencën e 29.6% të shqiptarëve, kurse aleatja LSI ka një përkrahje prej 4.7%, ndërkohë që “të tjerët” janë në shifrën 3.2% ku mund të përfshihen partitë e vogla, ndërsa të pavendosurit janë 7.8%.
Sondazhi
Naim Zengu, përfaqësuesi i fondacionit “Kult”, i ka paraqitur rezultatet e një sondazhi të zhvilluar në Shqipëri, me një kampion prej 1200 personash në të gjithë vendin nga kategori të ndryshme. Fondacioni “Kult”, me qendër në Tetovë, po zhvillon sondazhe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni në lidhje me perceptimin e publikut mbi tezën e bashkimit kombëtar dhe rolin e partive politike shqiptare për këtë çështje. Sondazhi është zhvilluar nga data 8-14 dhjetor dhe është prezantuar menjëherë ditën e djeshme. Kampioni i sondazhit u përbë prej 1200 të intervistuarve dhe u përzgjodh në dy faza: 1) Me përzgjedhje të rastësishme u përcaktuan 100 qendra votimi të shpërndara në krejt vendin; 2) Për çdo qendër votimi u përzgjodhën rastësisht 12 shtetas të moshës madhore. Intervistat u kryen jo me telefon, por fizikisht në shtëpitë e të intervistuarve. Për intervistim u përzgjodh anëtari i familjes që kishte ditëlindjen më të afërt me datën e intervistimit, për të arritur një kampion me shpërndarje sa më përfaqësues të moshave. Marzhi i gabimit statistikor për këtë kampion është +/- 3.1%.
Zgjedhjet
Sondazhi i “Kult” ka pasur disa rezultate dhe jo vetëm çështjen e zgjedhjeve parlamentare, por ajo e preferencave politike cilësohet si e dhëna më adekuate për të lexuar shpërndarjen e preferencës politike të shqiptarëve. Në këtë aspekt, thuajse 71 për qind e shqiptarëve e kishin vendosur se do të votojnë më 23 qershor të 2013-s, madje edhe e dinë se për kë parti do të votojnë. Nga i gjithë kampioni, 9% nuk e ka përcaktuar ende partinë për të cilën do të hedhë votën, ndërsa 5% nuk është i sigurt nëse do të votojë më 23 qershor të vitit të ardhshëm. Ndërkaq, rreth 15 për qind e të intervistuarve e kanë shpallur që sot bojkotin ndaj zgjedhjeve dhe nuk do të marrin pjesë. Në fakt kjo është një shifër që përsëritet thuajse në çdo zgjedhje. Në pyetjet në lidhje me preferencat politike të shqiptarëve, Partia Socialiste është forca e parë politike, por që nuk gëzon shumicën absolute me 36.5%, e dyta është Partia Demokratike me shtatë pikë më pak, përkatësisht në nivelin e 29.6 për qind. Surpriza duket se është Aleanca Kuqezi, e cila në sondazhin e “Kult” qëndron në nivelin e 14.1 për qind të preferencave, duke u renditur papritur si forca e tretë politike në vend. Partia e katërt renditet Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila është në shifrën e 4.7%, ndërsa më pas qëndron Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit, vetëm me 0.6 pikë më pak. Nëse bëhet një mbledhje e rezultateve të forcave politike sipas kampeve, del që opozitarët kanë mbështetjen e 54.1 për qind të shqiptarëve, ndërsa forcat e mazhorancës kanë 34.4 për qind të mbështetjes popullore.
Shifrat
PS
Partia Socialiste vazhdon të kryesojë si partia e parë me gjithsej 36.5 për qind të preferencave të qytetarëve shqiptarë
PD
Partia Demokratike, nëse do të votohej sot, do të merrte 29.6 për qind të votave në të gjithë vendin, duke u renditur parti e dytë
AK
Aleanca Kuqezi, në sondazhin e “Kult”, renditet si partia e tretë, duke përbërë surprizën e zgjedhjeve me plot 14% të mbështetjes
LSI
Lëvizja Socialiste për Integrim renditet e katërta me 4.7 preferencave, duke u renditur si forca e katërt politike në vend
FRD-ja
Partia e Bamir Topit shikohet sipas të intervistuarve në sondazh si partia që ka marrë 4.1 për qind të preferencave dhe renditet e pesta
PDIU
Partia e Shpëtim Idrizit, e cila është faktor politik në vend me dy deputetë, nuk përfshihet në renditjen e votave, ndërsa është në rezultatet e tjera
Rezultatet
Pyetja: Ju që keni përcaktuar partinë, a mund të na tregoni për cilën parti do të votoni?
PS: 36.5%
PD: 29.6%
AK: 14.1%
LSI: 4.7%
FRD: 4.1%
Pyetja: A doni që bashkimi i Shqipërisë me Kosovën të ndodhë para bashkimit me Europën?
Po: 64%
Jo: 25%
Se di: 11%
Cila parti po bën punën më konkrete për bashkimin sa më të shpejtë të Shqipërisë me Kosovën?
AK: 39%
PD: 32%
PS: 19%
LSI: 2%
PDIU:2%