Pagesa do t’i shkojë Bashkisë së Tiranës, deri tani kompanitë paguanin banorët e kateve të pesta


Këshilli Bashkiak pritet të miratojë një vendim të ri lidhur me taksat vendore. Në listën e derdhësve të parave në buxhetin e bashkisë do të jenë edhe kompanitë e telefonisë së lëvizshme. Deri tani, operatorët e telefonisë u kanë paguar para vetëm banorëve të kateve të pesta, të cilët mbajnë sipër tarracës së tyre antenat e kompanive në shërbim të tyre.


Bashkia e Tiranës u ka propozuar anëtarëve të Këshillit Bashkiak të miratojë një ndryshim në ligjin për “Sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”.


“Taksa e përkohshme për ndikimin e antenave të telefonisë së lëvizshme” aplikohet për të gjitha subjektet që vendosin antena të telefonisë së lëvizshme (mobile) mbi tarracat e pallateve apo godinave të ndryshme brenda territorit të qytetit të Tiranës. Niveli i kësaj takse është 2 000 000 lekë/antenë/vit”, thuhet në vendim. Taksa e përkohshme për ndikimin e antenave të telefonisë së lëvizshme”, llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit. Detyrimi lind nga momenti që vendosja e antenës konstatohet në terren. Taksa paguhet në katër këste të barabarta. Kësti i parë paguhet brenda datës 15 shkurt. Kësti i dytë jo më vonë se data 15 maj, kësti i tretë jo më vonë se data 15 gusht dhe kësti i fundit jo më vonë se data 15 nëntor të vitit korrent fiskal.


Për çdo antenë të vendosur rishtas, afati i pagesës së taksës do të jetë 30 ditë pas lindjes së detyrimit”.


Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore. L.Mixha


 


Taksa për antenat


Niveli i kësaj takse është 2 000 000 lekë/antenë/vit. Taksa e përkohshme për ndikimin e antenave të telefonisë së lëvizshme llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit.