Gripi stinor, ndodhemi në kohën e rrezikut më të madh, piku deri në mesin e muajit mars


Lorina Mixha


Brenda një jave, Instituti i Shëndetit Publik raporton mbi 11 mijë të infektuar nga virozat e stinës. Numri i qytetarëve të infektuar nga virozat e gripi stinor ka ardhur duke u rritur, sidomos pas ftohjes së menjëhershme të motit dhe uljes së temperaturave me disa gradë Celsius. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë kërkuar nga qendrat shëndetësore, poliklinikat dhe spitalet rajonale të mbajnë nën kontroll dhe të regjistrojnë të gjitha rastet me komplikacione, probleme dhe sidomos me temperaturë të lartë. Çdo javë institucionet shëndetësore që trajtojnë pacientë me viroza raportojnë në ISHP për numrin në total të të gjithë të regjistruarve me grip.


Situata


Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë tha pak kohë më parë se piku i të infektuarve dhe periudha me përhapjen më të madhe të viruseve në qarkullim do ta kemi nga muaji dhjetor në muajin mars. Ndërsa më të rrezikuarit për t’u prekur nga sëmundja janë fëmijët e moshave pediatrike nga 0-12 vjeç, pacientët kronikë, të sëmurët me zemër, gratë shtatzëna, personat me sistem të dobët imunitar, të moshuarit. Të gjitha këto kategori duhet të bëjnë kujdes të qëndrojnë në vende të ngrohta dhe të ajrosura, të ushqehen me produkte me vitamina dhe proteina, të konsumojnë shumë lëngje e fruta dhe të mos frekuentojnë ambiente të populluara e të mbyllura. Mjekët këshillojnë kryerjen e vaksinës dhe rekomandimi i përhershëm është larja e shpeshtë e duarve.


Qendra më e madhe spitalore në vend, “Nënë Tereza”, mban edhe peshën më të madhe të qytetarëve që kërkojnë ndihmë.


Të infektuarit


Në këtë sezon dimri, fluksi i pacientëve që vizitohen kërkojnë ndihmë, por edhe numri i të shtruarve brenda një ditë-nate e kalon numrin 500. Në urgjencën e infektivit janë deri në 100 qytetarë që paraqiten për kujdes shëndetësor, një pjesë e të cilëve në gjendjen më të rëndë qëndrojnë të shtruar për të qëndruar nën vëzhgimin e mjekëve.


Po ashtu, urgjenca e kardiologjisë çdo ditë pret e përcjell mbi 100 persona, pacientë kronikë që vuajnë kryesisht nga tensioni dhe sëmundjet e zemrës. Ky grup të sëmurësh janë tepër të ndjeshëm ndaj luhatjeve të menjëhershme të temperaturave. Ndër pavijonet më të frekuentuara në kohë temperaturash të ulëta apo të larta, mbetet pediatria. Urgjenca e këtij shërbimi çdo ditë pret nga 200-250 pacientë të vegjël të moshave nga 0-12 vjeç.


Një numër i konsiderueshëm qytetarësh marrin mjekim, vizitohen, si dhe trajtohen nga mjeku i familjes, apo në poliklinika. Ky sistem referimi duhet të zbatohet nga të gjithë për të mos krijuar mbingarkesë dhe fluks pacientësh vetëm në spitale apo qendra të mëdha, siç është spitali “Nënë Tereza”.


Të dhëna


Pediatria


Ndër pavijonet më të frekuentuara në kohë temperaturash të ulëta apo të larta, mbetet pediatria


Pacientët


Fluksi i pacientëve që vizitohen kërkojnë ndihmë, por edhe numri i të shtruarve brenda një ditë-nate e kalon numrin 500 në QSUT


Piku


I të infektuarve dhe periudha me përhapjen më të madhe të viruseve në qarkullim do ta kemi nga muaji dhjetor në muajin mars