Elbasan


CEZ ka marrë transformatorin për ta riparuar, por punonjësit nuk janë kthyer më


Kryetari i Komunës Shushicë thotë se CEZ është si grua me dy burra dhe nuk di ku ta kërkosh të drejtën


Bardha Nergjoni


Gjashtëmbëdhjetë ditë pa energji elektrike kanë bërë që banorët e një fshati në Shushicë të Elbasanit të dalin në protestë kundër CEZ dhe qeverisë. Ata kanë paralajmëruar se në ditët në vazhdim do të përshkallëzojnë protestën, deri në bllokim të rrugës nacionale, nëse nuk do të ketë rikthim të energjisë elektrike në banesat e tyre. Të mbledhur përreth transformatorit që tashmë nuk është në vendin e tij, i dërguar për riparim nga CEZ, ata kanë kërkuar kthimin e energjisë elektrike që mungon në shtëpitë e tyre prej më shumë se dy javëve. Janë më shumë se 60 familje që furnizohen nga ky transformator dhe në mungesë të energjisë, jeta e tyre është e kufizuar, pasi nuk mund të realizojnë as nevojat më minimale, madje disa prej tyre nuk kanë mundësi të furnizohen as me ujë të pijshëm për shkak të mungesës së dritave.


Banorët


Ata shprehen shumë të indinjuar duke theksuar se është e pakonceptueshme mungesa e dritave në shekullin e 21-të në një vend që aspiron integrimin në BE. Gjithçka është zhytur në errësirë. Ndërkohë elektroshtëpiaket dhe çdo pajisje tjetër që punon me korrent, nuk mund të vihen në punë. Banorët thonë se po ndriçohen me flakën e pishës. Probleme kanë edhe nxënësit e shkollave, të cilët nuk mund të bëjnë mësim normalisht, pasi ndryshe nga banorët e tjerë, nuk kanë drita për të bërë detyrat apo për të mësuar. “Kemi më shumë se dy javë pa drita. U dogj transformatori dhe ata e morën e nuk e kthyen më. As në kohën e vitit të mbrapshtë të ‘97-s nuk kemi qenë në këtë gjendje. CEZ na ka braktisur dhe nuk kujtohet më për ne”, shprehen banorët e fshatit Katund-Shushicë, tashmë prej 16 ditësh pa drita.


Kryekomunari


Kryetari i komunës, Lutfi Lala, pohon se ka njoftuar drejtuesit e CEZ në Elbasan, drejtuesit vendorë të prefekturës, Shtabin e Emergjencave, por veç premtimeve, asgjë nuk është bërë dhe tashmë numërohen 16 ditë pa drita për këtë zonë. “Më vjen turp të dal para këtyre banorëve që nuk kanë energji elektrike, edhe pse paguajnë. CEZ tashmë është bërë si ajo gruaja e lëshuar me dy burra, që nuk di ku të drejtohesh. Kam shkuar tek të gjitha institucionet dhe kam ngritur zërin për këtë problem, sepse CEZ-it nuk di ku t’i drejtohesh. Jemi në shekullin 21-të dhe një shtet me 100 vjet histori dhe mbetemi pa energji. Kjo është një gjë e pakonceptueshme. Këtu jemi në vendin e transformatorit që ndërmarrja ka më se dy javë që e ka marrë dhe nuk dihet nëse do ta kthejë në këtë vend. Këta banorë kanë të drejtë të informohen e të kenë energji. Nuk e kuptoj të gjithë këtë indiferentizëm” përfundon ai.


Komunat e tjera


Edhe në komuna të nënprefekturës Librazhd, Gramsh e Peqin hasen probleme të kësaj natyre. Megjithatë CEZ duket se tashmë ka hequr dorë nga çdo përgjegjësi dhe dhjetëra fshatra janë të zhytur në errësirë. Rreth një javë më parë, Komuna Gostimë ka protestuar për të njëjtin problem, ndërkohë që mungesa e energjisë haset edhe në zona të thella, ku shihet indiferentizëm dhe mosndërhyrje e CEZ-it për të riparuar defektet. Reshjet e shiut e dëborës dhe temperaturat e ulëta të muajit dhjetor, veç të tjerash kanë sjellë probleme në furnizimin me energji. Në mjaft fshatra ka pasur djegie të transformatorëve, këputje të përcjellësve, shembje të shtyllave etj., probleme që janë përgjegjësi direkte e kompanive që merren me furnizimin me energji.