Projekti
Ministria e Arsimit, manual dhe karton të verdhë për të eliminuar fyerjet dhe dhunën
Shpresa Mezini
Duke filluar nga viti 2013, si nxënësit edhe mësuesit do të jenë më të qetë në orët e mësimit. Kjo, për shkak se çdo veprim i tyre do të jetë i monitoruar nga kamerat e vrojtimit që do të instalohen në çdo klasë. Ky është projekti më i fundit i Bashkisë së Tiranës, e cila do ta propozojë këtë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, me qëllim krijimin e një fondi të posaçëm për instalimin e kamerave fillimisht në shkollat e mesme, për të vazhduar më pas tek ato 9-vjeçare. Duke iu referuar njoftimit zyrtar të Bashkisë së Tiranës, rezulton se realizimi i këtij projekti do të bëhet i mundur brenda muajve të parë të vitit 2013. Sipas kryetarit të këtij institucioni, Lulzim Basha, qëllimi i implementimit të këtij projekti është garantimi i sigurisë për nxënësit dhe fëmijët e kryeqytetit.
Iniciativa e Bashkisë së Tiranës vjen disa kohë pas publikimit të raportit të UNICEF-it, i cili raporton se në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme ushtrohet dhunë psikologjike e fizike. Por edhe pas projektit të Ministrisë së Arsimit për publikimin e një manuali për sjelljen e mësuesve dhe përdorimit të kartonit të verdhë për ndëshkimin e nxënësve për të shmangur format “klasike” të shkuljes së veshit apo shuplakave.
Bazuar në projektin e Ministrisë së Arsimit, rezulton se dhuna fizike apo psikologjike në shkolla do të dënohet nëpërmjet përdorimit të kartës së disiplinës apo “kartonit të verdhë”, praktikë e njohur botërisht në ndeshjet e futbollit.
Por ndryshe nga ky sport, “arbitri” nuk do të jetë vetëm mësuesi, por edhe vetë nxënësit. Kjo, me qëllim arritjen e një kompromisi të përbashkët për dënimin e fajtorit, atij që krijon shqetësime te bashkëmoshatarët e tij apo pengon zhvillimin normal të orës së mësimit. Kështu, në vijimësi do të përjashtohen format “klasike” të dënimit të nxënësve, siç është tërheqja e flokëve, e veshëve apo pickimi, sjellje që janë evidentuar rëndom në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare. Sipas përgjegjëses së sektorit të kurrikulës në arsimin parauniversitar, Pranvera Kamani, karta e disiplinës është element i një programi kombëtar për një shkollë miqësore pro sjelljeve pozitive.
“Qëllimi i vënies në zbatim të këtij programi është mënjanimi i sjelljeve që mbartin dhunë fizike apo psikologjike, si formë e re disiplinimi. Në këtë kuadër është realizuar një mobilizim administrativ i të gjithë sistemit dhe është bërë trajnimi i drejtuesve të shkollave të mesme, nëntëvjeçare dhe të kopshteve”, tha Kamani. Sipas saj, ky projekt, i cili është mundësuar nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me UNICEF-in, synon përdorimin e formave të reja të disiplinimit për të krijuar një ambient miqësor, të sigurt, jo të dhunshëm.
Kështu, për të reduktuar apo mënjanuar njëherë e mirë dhunën e ushtruar nga mësuesit në institucionet që i përkasin arsimit parauniversitar, mësuesi nuk do të bërtasë apo godasë asnjë nxënës, por do të ngrejë lart kartonin e verdhë, si një shenjë që nënkupton se ora e mësimit ka dalë jashtë kontrollit.
“Edhe pse përdorimi i kartës së disiplinës është kompetencë e padiskutueshme e mësuesit, e rëndësishme është që ai të mos abuzojë me të, sepse keqpërdorimi i tij është në të keqen e vetë mësuesit. Në momentin që ky karton do të ngrihet nga dora e mësuesit, do të kuptohet penalizimi i nxënësit pa vënë dorë mbi të dhe pa e fyer.
Bashkia
Kamera vrojtimi në çdo klasë të shkollave të mesme e 9-vjeçare. Propozimi, së shpejti në Këshillin Bashkiak
Qëllimi
Monitorimi i çdo veprimi në orët e mësimit. Garantimi i sigurisë për nxënësit, me qëllim parandalimin e formave të dhunës