Ministria e Drejtësisë paralajmëron një zgjidhje provizore, në pritje të votimit nga opozita të projektligjit për Gjykatën së Lartë, që i hap rrugën ngritjes së Gjykatës Administrative. Ministri Eduard Halimi, gjatë takimit të 5-të të Komitetit Drejtues të “Euralius”, ka deklaruar se në muajin Janar, në Gjykatën e Faktit dhe atë të Apelit të Tiranës do të krijohen Dhoma Administrative, në rast se opozita ende nuk do ta ketë votuar projekligjin.
“Fatkeqësisht ky ligj nuk po miratohet në Parlament, pa dhënë asnjë shpjegim, por duke e lidhur kohë më parë atë me diçka që nuk kishte lidhje, me çështjen e një qarku. Pas kalimit të afatit për marrjen e statusit, shqiptarët nuk dëgjuan më për qarkun e Fierit, dhe opozitës i hëngri macja gjuhën. Nuk thanë asnjë fjalë prej më shumë se dy muajsh se përse nuk votojnë një ligj kaq të rëndësishëm për të gjithë sistemin, se përse e bllokojnë reformën në drejtësi dhe integrimin e vendit. Por ne nuk mund të tërheqim zvarrë qytetarët. Ndaj dhe pas kryerjes së procedurave të përzgjedhjes, gjyqtarët administrativë do të fillojnë punë në godina, duke aplikuar reformën e vitit 2008 me Dhomë Administrative për Gjykatën e Tiranës dhe Apelit të Tiranës. Ne nuk do mund ta ndërpresim reformën në asnjë minutë të vetme”, -deklaroi Halimi.
Më tej ministri i Drejtësisë ka përmendur reformat e realizuara me sukses në luftën kundër korrupsionit, ndryshimet kushtetuese për heqjen dhe kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve dhe të deputetëve. Ai është ndaluar edhe në çështjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë. “E lashë në fund trajtimin e çështjes së pavarësisë, pasi ashtu siç e kam thënë, ajo që vuan sot sistemi i drejtësisë më tepër është kontrolli dhe ndarja e devijantëve nga të ndershmit, ndarja e të paaftëve nga të aftët, si dhe mosndarja e ndikimit nga vektorët ekonomikë. Por ne kemi hapa konkretë në çështjen e pavarësisë së gjyqësorit. Miratimi i ligjit “Për gjykatat administrative” dhe përcaktimi i rregullave të konkursit të gjyqtarëve është një hap tjetër pozitiv në konsolidimin e sistemit përmes gjykatave profesionale të profilizuara dhe pavarësinë e sistemit”, ka thënë Halimi.
17 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)