Një mësuese arriti të shpëtojë shumë fëmijë duke i dalë përpara vrasësit


Presidenti Barak Obama mbërriti në Konektikat dje për t’u bashkuar me zinë për 20 fëmijët, që të gjithë 6 apo 7-vjeçarë, që u masakruan nga një njeri i armatosur që hyri me forcë në shkollën e tyre e hapi zjarr nga afër me një pushkë automatike.


Shfaqja e Obamës në ceremoninë shumëfetare mortore në qytezën dikur të qetë të Njutaun, do të ndiqet nga afër për të mësuar më shumë mbi atë se çfarë nënkuptonte Presidenti kur foli për “veprime kuptimplota” për parandalimin e tragjedive të tilla.


Por politika do të ulet në karriget e pasme në ceremonitë përkujtimore, ndërsa më shumë detaje zbulohen mbi 12 vajzat, 8 djemtë dhe gjashtë gra që vrasësi Adam Lanza i mbylli jetën në shkollën elementare Sandy Hook, para se të vriste veten.


Olivia Engel po përgatitej të luante rolin e engjëllit në një pjesë teatrale për fëmijë në kishën katolike të Shën Rosës së Limës, disa kilometra pranë shkollës.


“Ajo do të ishte engjëlli në teatër. Tashmë është engjëll atje lart në qiell”, tha monsinjor Robert Weiss para shfaqjes së teatrit për fëmijë.


Emilie Parker, një tjetër fëmijë i vrarë, po studionte portugalisht bashkë me të atin. Një faqe përkujtimore në “Facebook” e hapur për të mori menjëherë rreth 150 mijë pëlqime.


Vicki Leigh Soto

Vicki Leigh Soto


Vicki Leigh Soto, 27 vjeç, i shpëtoi nxënësit e klasës së parë ku po jepte mësim duke e vendosur veten mes vrasësit dhe fëmijëve. Gazeta “Independent” e Britanisë dje publikoi foton e saj në faqe të parë me titullin: “Heroina e Sandy Hook”. Të dhënat paraprake tregojnë se ajo i mbrojti fëmijët e klasës së saj me trupin e vet, si dhe u përpoq ta gënjente vrasësin duke i thënë se në klasën e saj nuk kishte fëmijë.


Zyrtarët e sistemit arsimor të krahinës thanë se shkolla do të rifillojë të martën me përjashtim të shkollës së tragjedisë.


Megjithëse amerikanët kanë parë shumë vrasje masive gjatë dekadave të fundit, viktimat shumë rrallë kanë qenë fëmijë. Të shtunën, ligjvënësit demokratë bënë thirrje për masa të ashpra për kontrollin e armëve, një lëvizje që pritet të përballet me kundërshtinë e ashpër nga lobingu kombëtar i fuqishëm pro armëve.


Ndërsa Presidenti dhe familjet mbajnë zi, policia është ende duke kërkuar për shpjegime, për arsyet që e çuan Lanzën, 20 vjeç, të vrasë nënën në shtëpi, të shkojë në shkollën fillore dhe të depërtojë në shkollë i armatosur me pushkë e pistoleta. Vrasësi ka vuajtur disa kohë për integrimin në shoqëri, ndërsa nëna e tij e kishte tërhequr nga shkolla për disa vite, për ta arsimuar në shtëpi.


Nëna e vrasësit, Nancy Lanza, kishte nën pronësi legale disa armë, që përdoren gjerësisht nga policia, si dhe armën e përdorur nga ushtria 223 M4 karabinë. I ati lëshoi një deklaratë, ku thuhej se familja “nuk arrin ta besojë se çfarë ka ndodhur”.


Numri i të vrarëve kapërceu ngjarjen e mëparshme, atë të vrasjeve në vitin 1999 në shkollën e mesme Kolumbajn, në Kolorado, ku dy adoleshentë vranë 13 bashkëmoshatarë e mësues para se të vrisnin veten. Ngjarja e Kolumbajnit u bë tema e një filmi dokumentar të Michael Moore për të mbështetur fushatën politike kundër posedimit të ligjshëm të armëve në SHBA.