MASH të tregojë listën e universiteteve jopublike që kanë licencë
Shpresa Mezini
Hidhen dyshime për cilësinë e doktoraturave që ofrohen në vend.
Studimet e doktoraturës po marrin përmasat e masterave. Kështu, jehona që morën studimet për master profesional apo shkencor, së fundmi janë transferuar te doktoraturat. Pjesa më e madhe e të rinjve po kërkojnë të zotërojnë titullin Profesor, Doktor. Përballë një situate ku fluksi i studentëve është tejet i lartë, universitetet private e dinë formulën e suksesit. Ata dalin në treg me reklama premtuese, për të gjithë studentët e interesuar për të ndjekur doktoraturën, ndonëse nuk mësohet asnjëherë nëse ato janë të licencuara për të ofruar këtë lloj programi.
“Kërkojmë të bëhet transparent procesi i zhvillimit të doktoraturave që ofrohen aktualisht në universitetet private. Mbi ç’bazë ofrohen doktoraturat në disa universitete private? Cilat universitete private e kanë licencën për të ofruar doktoraturat, pasi në disa televizione prezantojnë reklama mbi 4 universitete private që propagandojnë për doktoraturat që ofrohen në këto institucione. Pse nuk ka të dhëna për numrin e universiteteve që e kanë këtë drejtë dhe a ka një raport për kriteret që plotësojnë ato për të ofruar këtë mundësi studimi?”. Këto janë pikëpyetjet që ngre zëvendësrektori i Universitetit të Tiranës, Ervin Demo, i cili hedh dyshime për kushtet që plotëson privati në këtë drejtim. Demo tregon se ka informacion se një nga universitetet private në vend ofron 500 kuota për studimet e doktoraturës, në një kohë që kapacitetet e tij janë të pamjaftueshme, pasi stafi është i kufizuar në numër, rreth 50 pedagogë.
“Si është e mundur që një staf prej 50 pedagogësh të përballojë 500 studentë të doktoraturës? Mua kjo më duket qesharake. Konkretisht, sivjet Universiteti i Tiranës ka propozuar një mijë kuota për studimet e doktoraturës, duke marrë parasysh fakultetet që varen prej tij. Procesi i zhvillimit të doktoraturave në UT është plotësisht transparent dhe në përputhje me gjithçka kërkohet për ofrimin e tyre. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me privatët. Studentët duhet të dinë ku drejtohen, sepse ndodh që ata që nuk e fitojnë këtë të drejtë në shtet, të kthejnë sytë nga privati, por kjo mund t’i dëmtojë ata, pasi në këtë pikë vihet në diskutim cilësia e doktoraturës që studiojnë kandidatët”, sqaron për gazetën “Shqip”, zv/rektori i UT-së. Kështu, shqetësimi i tij nuk qëndron te fakti se numri i të rinjve për të ndjekur studimet e doktoraturës është rritur, por te cilësia që ofrohet në institucionet e arsimit të lartë jo publik.
Duke iu referuar një mijë kuotave që UT-ja ka propozuar për të pasur sivjet, rezulton se në krye të listës qëndron Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Mjekësia, Ekonomiku dhe Drejtësia.
“Fakultetet, të cilat kanë numrin e stafit më të lartë, qoftë edhe në raport deri diku me studentët, kanë kërkuar më shumë kuota, duke iu referuar Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ai i Mjekësisë gjithashtu merr në konsideratë edhe kuotat e specializimeve dhe pastaj të gjitha fakultetet e tjera sipas madhësisë, Ekonomiku, Filologjiku etj., me radhë. Ka kritere shumë rigoroze për ata që regjistrohen, nga pikëpamja e performancës akademike që kanë pasur, por qoftë edhe nga pikëpamja e performancës shkencore ose eksperienca e punës që ata kanë pasur”, pohon zv/rektori i UT-së.
Mirëpo, në një kohë kur këto deklarata ndëshkojnë sidomos institucionin përgjegjës, që është Ministria e Arsimit, kjo e fundit nuk ka një përgjigje për situatën, madje nuk pranon të deklarojë as të dhënat që lidhen me procesin e zhvillimit të doktoraturave në universitetet private, të cilat, sipas të dhënave, po abuzojnë me cilësinë.
Propozimet për doktoraturat tashmë janë në tavolinën e zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit. Shumë shpejt këta të fundit pritet që kuotat t’ia përcjellin për miratim Këshillit të Ministrave.
Zv/rektori – Disa universitete private në vend ofrojnë studimet për doktoratura. Cilat prej tyre e kanë licencën për t’i ofruar ato
Shembulli – Një nga universitetet private ofron 500 kuota për doktoraturat, ndërkohë që stafi përbëhet nga 50 pedagogë në total
MASH – Mban fshehur emrat e universiteteve private që e kanë të drejtën për të ofruar studimet e doktoraturave