Partia Socialiste ka vijuar sot me denoncimin e asaj që e ka cilësuar pasuria e Bllokmenëve blu. Deputeti Taulant Balla gjatë një konference për shtyp në selinë rozë, ka bërë publike pasuritë e çiftit Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi, të cilët në një vit kanë fituar 313 milionë lekë.
“Mësuese: 146 milionë lekë në vit, 12 milionë lekë në muaj, për Argita Berishën, aq sa rroga e përbashkët e 20 drejtorëve të shkollave në Kryeqytet”, ka deklaruar Balla për vajzën e kryeministrit, ndërsa më tej ka vazhduar të rendisë fitimet e dhëndrit të kryeministrit. “Plot 70 milionë lekë për Jamarbër Malltezi, sipas deklaratës së tij të pasurisë, të fituara po ashtu nga mësimdhënia, gjatë një viti. Për ta bërë sa më të qartë për të gjithë shqiptarët, çifti Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi në një vit janë paguar 216 milionë lekë si mësues, ndërkohë që fitimet e tyre vjetore janë plot 313 milionë lekë”, është shprehur deputeti socialist.
Më tej deputeti Taulant Balla duke llogaritur pagesat që japin universitete shtetërore e private del në përfundimin se vajza e kryeministrit duhet të japë 22 orë mësim në ditë për të përfituar shumën që ka deklaruar si fitim nga mësimdhënia. “Dihet publikisht se çdo orë mësimi në fakultetet shtetërore paguhet maksimumi 10 mijë lekë dhe në fakultetet private paguhet maksimumi 30 mijë lekë. Pas një llogarie të thjeshtë, sipas kësaj tarife, del se Jamarbëri jep me këtë tarifë 2333 orë mësim, ndërsa Argita thyen çdo rekord duke rezultuar se jep 4867 orë mësim në vit. Me këtë llogari mjaft të thjeshtë na rezulton se zonja Argita Berisha, në 223 ditë shkollore në total, jepka mësim gati 22 orë në ditë, pavarësisht në është ditë apo natë. A mund të besohet kjo?”, është shprehur deputeti Balla, i cili duke mbyllur deklaratën e tij ka kërkuar shpjegime nga çifti kryeministror se sa janë pagesat për çdo orë mësimi që ata kanë përfituar nga institucionet e arsimit të lartë dhe cilët janë këta universitete që mundësojnë pagesa kaq të larta. 17 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)