Krahasimi


Kreu i grupit parlamentar të PS-së hoqi paralele të forta mes dy drejtuesve të shtetit shqiptar 


Deputeti i PS Gramoz RuciKryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, e krahasoi dje Kryeministrin Berisha me mbretin Ahmet Zogu. Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e PS-së për Tiranën, Ruçi hoqi viza të forta paralelizmi mes Berishës e Zogut dhe theksoi se glorifikimi që Kryeministri kërkonte t’i bënte figurës së Zogut lidhej pikërisht me këtë fakt. “Ngjajnë si dy pika uji monarku Ahmet Zogu dhe ‘demokrati’ Sali Berisha, janë si dy vëllezër siamezë”, deklaroi Ruçi. Sipas tij, ky konstatim vinte për shkak se Berisha ashtu si dhe paraardhësi i tij që ka qeverisur vendin në vitet ‘20 dhe ‘30 kanë vjedhur dhe shitur Shqipërinë për interesa të pushtetit personal. Sipas tij, të dy këta drejtues janë përpjekur të mbajnë pushtetin me përçarje, intriga dhe frikë. Po kështu, për sa u përket festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë në vend, Ruçi akuzoi Kryeministrin për glorifikimin e monarkisë dhe Ahmet Zogut dhe, nga ana tjetër, shpërfilljen e Vlorës, si kryeqytetin e parë të shqiptarëve ku mori udhë qeveria dhe pavarësia e vendit. Ai theksoi se Berisha gjithashtu nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e bëra në vend për 100-vjetor, siç ishin Parlamenti, stadiumi i ri, teatri, muzeu për Nënë Terezën, mbërritjen e eshtrave të saj në vend e shumë të tjera. “Të vetmin premtim që realizoi ishte ai i mbërritjes së eshtrave të Ismail Qemalit, por edhe ato sepse i kishin sjellë të tjerë përpara tij”, ironizoi Gramoz Ruçi. 


Figura


Përqendrimi i Berishës te figura e mbretit Zog gjatë festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë është konsideruar si i tepërt nga shumë historianë dhe politikanë në vend.


 


Ceremonia


Qeveria solli në nëntor eshtrat e mbretit Zog


Qeveria shqiptare bëri të mundur që gjatë muajit nëntor të këtij viti të sillte eshtrat e mbretit Zog, të cilat preheshin në Paris që nga koha e vdekjes së tij. Eshtrat e sjella në vendin ku Zogu drejtoi për afro dy dekada, u rivarrosën në varrezat mbretërore që ndodhen pranë Liqenit Artificial në Tiranë dhe u shoqëruan me një ceremoni madhështore. Në këtë ceremoni merrnin pjesë, përveç drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar, edhe Presidentja e Kosovës. Në ceremoni munguan përfaqësuesit e opozitës shqiptare.