Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të konferencës së organizuar nga EURALIS, ambasadori i BE në vendin tonë, Etore Sequi, ndërsa ka komentuar deklaratat me frymë nacionaliste të disa politikanëve shqiptarë, ka theksuar se BE është kundër idesë së ndryshimit të kufijve.
“BE beson se çështja e integritetit kufitar nuk është një çështje, pasi ne nuk do të donim të shihnim ndryshim kufijsh dhe do të doja të ndaja me ju edhe konkluzionet e këshillit, që është edhe pozicioni i përbashkët i 27 vendeve të BE-së”, theksoi Sequi.
Sequi vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, në të mirë të paqes dhe stabilitet të tij dhe bëri thirrje që të vijohet me këtë frymë për të kontribuar në vazhdimin e aplikimit të politikës së fqinjësisë së mirë. Ambsadri i BE shtoi se në këtë pikë mbështet deklaratat e kolegut të tij, ambasadorit të SHBVA në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, i cili gjithashtu disa ditë më parë u shpreh kundër ideve nacionaliste që kanë vërshuar kohëve të fundit në politikën shqiptare.
“Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në rajon dhe ka adoptuar një politikë të fqinjësisë së mirë. Ky rol stabilizues është gjithashtu pjesë e detyrimeve në rrugën europiane. Unifikimi i kulturës shqiptare duhet të realizohet në kuadrin e perspektivës së vendit e rajonit dhe ajo që është e rëndësishme dhe do jetë në të ardhmen, është që Shqipëria do luajë rol konstruktiv në rajon dhe do dëshmojë politikën e fqinjësisë së mirë”, deklaroi ambasadori i BE në vednin tonë.
17 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)