Ish i përndjekuri politik: Më shoqërojnë në komisariat kur kaloj afër institucioneve dhe zyrtarëve
Dy policë, të veshur si civilë, nuk i ndahen prej disa ditësh. Prezenca e tyre ka terrorizuar familjen
Koordinatori i grevës së urisë të ish të përndjekurve politikë, Skënder Tufa, thotë se policia e ndjek kudo që shkon, ndërsa mbahet në monitorim të rreptë në momentin që kalon afër një institucioni të rëndësisë së veçantë. I njohur si një nga zërat më të fortë të të përndjekurve politikë, madje ka shkëmbyer edhe akuza me Kryeministrin Sali Berisha, Tufa është shoqëruar dhjetëra herë në polici, pasi “akuzohet” për sulme ndaj personave që nuk mbështesin kauzën e tyre, atë të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë, një “premtim” i pambajtur i mazhorancës aktuale. Duke ndjekur rrugën e Lirak Bejkos, që u vetëflijua gjatë grevës së urisë, Tufa ka protestuar dhjetëra herë, madje ka qëlluar ministra e deputetë me ç’të mundet, domate, gurë dhe miell. Megjithatë, këto ngjarje kanë shqetësuar së tepërmi policinë dhe Gardën, të cilat kanë filluar të marrin masa. Agjentë civilë të Gardës dhe policisë mbajnë në vëzhgim disa ish të përndjekur, personat që janë shfaqur më agresiv, duke i monitoruar lëvizjet e tyre, ndërsa në momentin që afrohen afër institucioneve apo vendeve ku kalon eskorta e zyrtarëve të lartë, këta ish të përndjekur shoqërohen në polici. Mbahen në komisariat deri në momentin që përfundon aktiviteti dhe lihen të “lirë” pasi mbahen në qeli për më shumë se 10 orë.
Terrori – “Nuk jam në gjendje që të takoj të afërmit e mi, sepse përndiqen nga policia për shkakun tim. Dua të di arsyen se përse po ndodh kjo gjë me mua”
Shoqërimi në polici
Ish i përndjekuri politik, Skënder Tufa, është ndaluar nga policia pasditen e së premtes. Sipas tij, mbajtja në komisariat nuk ka asnjë motiv. Ai ka treguar me detaje të gjithë incidentin e ndodhur pranë vendit të quajtur Libri Universitar. “Isha duke ecur në rrugë dhe dy policë më ndaluan, pa asnjë motiv. Me kërkuan që të shkoj me ata, drejt Komisariatit Nr. 2. U kërkova llogari për ndalimin që më kishin bërë, por askush nuk më dha përgjigje. Atje më mbajtën dy orë dhe e vetmja pyetje ishte se përse unë kisha kaluar përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit Popullor”, thotë Tufa, duke “protestuar” ndaj këtij terrori, pasi po përsëriten ngjarjet e viteve të komunizmit. “Po më kufizojnë edhe lëvizjet e mia si qytetar dhe po shkelen në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut. Nuk pata kohë që të njoftoj askënd, sepse më morën edhe telefonin. Për më tepër, nuk isha i shoqëruar nga persona të tjerë, që mund të bëja kërcënim. Brenda në komisariat më plotësuan një raport dhe kërkuan që të firmosja. Nuk e pranova një gjë të tillë, përkundrazi u kërkova llogari se përse më kishin arrestuar”, ka treguar ngjarjen Tufa.
Më ndjekin dy policë
Ndër të tjera ai thotë se dy policë, të veshur si civilë, nuk i ndahen prej disa ditësh. “Prezenca e tyre ka terrorizuar familjen. Nuk jam në gjendje që të takoj të afërmit e mi, sepse përndiqen nga policia për shkakun tim. Dua të di arsyen se përse po ndodh kjo gjë me mua”, ka vijuar ankesat ish i përndjekuri. Ndër të tjera Tufa, në rolin e kryetarit të të Përndjekurve Politikë, është shprehur mjaft i zhgënjyer për miratimin e buxhetit nga ana e qeverisë. “Duke ndjekur me vëmendje dhe shqetësim prononcimet e qeveritarëve për buxhetin e shtetit, vërej se të burgosurit politikë janë llogaritur sa 0,08% për zhdëmtimin e burgut sipas ligjit. Kjo përqindje nuk i përmbush kërkesat tona për zbatimin e ligjit”, thotë Skënder Tufa.
Silvana Muça