Deklarata


Kryeministri tha se vota e munguar e Topallit është qëndrim personal


Kryeministri Berisha shprehu besimin e tij se kryeprokurori i ri Adriatik Llalla do të punojë me të njëjtin sukses, kur ai ishte në krye të ILDKP-së. Duke vlerësuar figurën e tij, Berisha tha se ai ka dërguar shumë dosje politikanësh në prokurori, ndaj nuk do të hezitojë ta bëjë sërish një veprim të tillë. “Kam besimin e plotë që kryeprokurori do të funksionojë bazuar në ligj dhe zoti Llalla, në institucionin e verifikimit të pasurive të politikanëve dhe zyrtarëve, ka dërguar shumë dosje në prokurori. Janë denoncime të bërë publikisht prej tij. Kam besim që do të përdorë ato kritere që përdori në ILDKP dhe në prokurori”, deklaroi Berisha, duke theksuar se ka besim të madh dhe koha ka faktuar e do të faktojë se Presidenti Nishani do të mbështesë fuqishëm luftën kundër korrupsionit dhe do të ketë vetëm inkurajim, çka është e rëndësishme për kryeprokurorin. “Kam besim dhe siguroj që të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit do të bashkëpunojnë me vullnet të plotë për suksesin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, luftë ku institucioni i prokurorisë ka një rol të madh”, shprehu mbështetjen e tij Berisha për kryeprokurorin e ti.


 


Për Ina Rama e Topallin


Shefi i qeverisë, gjatë pyetjes së gazetarëve për kryeprokuroren Ina Rama, nuk tërhoqi dhe komentoi asnjë fyerje të bërë në adresë së saj për ngjarjet e 21 janarit 2011, ndërkohë që e akuzoi për rrjedhje informacioni gjatë kohës që ajo drejtonte organin e akuzës. “Kam besimin më të madh se Prokuroria e Përgjithshme dhe institucioni i Prokurorisë ka vajza dhe djem të ndershëm e të përkushtuar për të bërë ligjin, sikundër ka pasur dhe ka tregtarë dosjesh, të cilët kanë kryer krimin e shëmtuar të rrënimit të hetimeve. Çdo shitje dosjesh është rrënim hetimi. Për fat të keq rrjedhja është problem i përbotshëm, por intensiteti është i rëndë për hetimin”, deklaroi Berisha. Ai mendon se ish-kryeprokurorja Ina Rama është larguar disa ditë me vonesë sa i takon mandatit. Në fund, ka folur edhe për mungesën e votës së Topallit për kryeprokurorin Llalla. Kryeministri Berisha e cilësoi si personal qëndrimin dhe votën e Kryetares së Kuvendit. “Kur Kryetarja e Parlamentit të bëjë konferencë shtypi do e pyesni. Ajo është një politikane me eksperiencë të madhe, nuk e ngatërron qëndrimin e vet me qëndrimet ndaj institucioneve”, tha Berisha.