Mungon në votim Berisha, opozita: Drejt humnerës. Irritohet Bode: Borxhi, pa limit


ARD KOLA


Buxheti i vitit 2013 u miratua dje me votat e mazhorancës, në mungesë të Kryeministrit, ku nuk munguan debatet e forta, me akuza, irritim e deri në panik, nga ana e ministrit të Financave, pasi dëgjoi propozimet e opozitës. Kjo e fundit kërkoi që borxhi i shqiptarëve të matet dhe vlerësohet nga Banka e Shqipërisë, por Kuvendi e rrëzoi si kërkesë.


Kalimi i buxhetit nen për nen u dha mundësi disa institucioneve të përfitonin disa shtesa, duke ndryshuar kështu totalin e shpenzimeve prej 800 milionë lekësh më shumë, kurse Ministrisë së Transporteve iu lejua të gjente fondet brenda programit, me vlerë 500 milionë lekë për projektin e rrugës Lushnjë-Berat-Çorovodë.


Me 72 vota pro dhe 60 kundër, ku ra në sy mungesa e Kryeministrit Berisha, i cili për dy muaj e konsideroi si më “historikun”, buxheti i shtetit 2013 do të nisë zbatimin me një rritje të borxhit publik prej 10 për qind, duke arritur në rreth 9 miliardë dollarë, ose “dyfish më i lartë nga sa e la qeverisja socialiste në 2005”, tha deputeti Ben Blushi.


Mazhoranca ka hedhur poshtë përmes votimit disa propozime të opozitës lidhur me disa nene të buxhetit 2013, duke votuar nenet përkatëse pa i marrë parasysh ndryshimet e propozuara. Kështu, deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, propozoi disa ndryshime në nenin 9 të buxhetit, ku përfshihet edhe privatizimi i “Albpetrol”, pasi sipas saj, paratë që do të përftohen nga ky privatizim nuk janë parashikuar për qytetarët, por përdoren për qëllime elektorale. Tjetër propozim i rrëzuar prekte nenin 18, sipas të cilit, opozita kërkonte që borxhi të matej dhe “ruhej” nga Banka e Shqipërisë. Pas votimit kundëra ministri i Financave, Ridvan Bode, ngriti tonin e zërit kundër opozitës, duke e konsideruar si provokatore për qëllime politike dhe destabilizuese. “Nuk kërkoni gjë tjetër vetëm anarki”, iu drejtua ministri deputetëve socialistë në sallë. Në mbylljet kësaj seance, deputetja Mimi Kodheli u ka bërë thirrje qytetarëve të mos i besojnë më kësaj qeverie, e cila sipas saj i ka katandisur financat publike në ditën e tyre më të keqe, duke e zhytur vendin në një borxh që ka dalë jashtë çdo kontrolli. Më herët, deputeti Bashkim Fino propozoi një ndryshim në nenin 15, i cili gjithashtu u rrëzua me votim nga mazhoranca. Sipas deputetit të PS-së, neni 15 bie në kundërshtim me kartën e autonomisë vendore, që qeveria e ka votuar në Kuvend. Ai akuzoi qeverinë se ka përdorur dy standarde në shpërndarjen e granteve të bashkive, duke reduktuar ato për bashkitë e majta.


Arben Malaj ka shprehur shqetësimin e grupit të tij parlamentar se buxheti që do të shqyrtohet është jo realist, pasi sipas tij në raport me të ardhurat kemi një mosrealizim dhe një përkeqësim të deficitit me 48 miliardë lekë. “Kemi të bëjmë me shkelje kushtetuese. Vetëm Parlamenti ka të drejtë ta ndryshojë buxhetin”, theksoi Malaj


Debati mbi borxhin ka vendosur përballë dy filozofi të ndryshme. Mazhoranca kërkoi dhe miratoi heqjen e limitit, që me ligj ishte vendosur të mos rritej më shumë se 60 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pas miratimit të ndryshimeve, borxhi kapërceu direkt në 61 për qind, kurse në vitin 2013 parashikohet të arrijë në rreth 63 për qind të PBB-së. Ky nivel konsiderohet shqetësues, pasi për vitin e ardhshëm, nga taksat e shqiptarëve do të paguhen rreth 60 miliardë lekë interesa, kurse borxhi arrin në vlerën 895 miliardë lekë. Opozita kërkon t’i qëndrojë kufirit të vendosur sipas vlerësimeve të institucioneve financiare, kurse ministri i Financave e justifikon heqjen e limitit si manovër për të stimuluar rritjen ekonomike. Kjo e fundit, sipas qeverisë pritet të arrijë në rreth 4 për qind, kurse për këtë vit, nga 3 për qind, parashikohet të zbresë në 2 për qind të PBB-së për shkak edhe të rishikimit me ulje të buxhetit 2012, me afro 16 miliardë lekë.


Buxheti i vitit 2013 do të jetë rreth 410 miliardë lekë, kurse të ardhurat afro 360 miliardë lekë, me një nivel deficiti prej 3.4 për qind, nga 3 për qind që ishte këtë vit (investimet, afro 70 miliardë lekë). Diskutimet lidhen me premtimet e mëparshme të qeverisë, e cila kishte deklaruar tre vjet më parë se do ta ulte borxhin nga 58 për qind në 55 për qind. “Pikërisht, për këtë premtim po diskutojmë zoti ministër”, iu drejtua Malaj Bodes. Ky i fundit, me “mbështetjen” e Kryetares së Kuvendit iu kundërvu opozitës, me kritikat e qëllimeve anarkike.


 


Mashtrimi


Taksa progresive, e vendosi Berisha më 1 tetor 1992


Zbulohet dokumenti ligjor “Për tatimin mbi të ardhurat personale”, dekretuar nga presidenti Sali Berisha 21 tetor 1992, që nxjerr zbuluar kryeministri, se gjoja, sipas tij, “taksa u aplikua nga Spiro Koleka”. Në muajt e fundit, Berisha, sot kryeministër, gjatë debatit për taksat, është shprehur plot herë se sistemi progresiv kërkon të vendoset nga Edi Rama, si paraardhësit e tij të regjimit komunist. Në fakt me firmën e “presidentit Berisha”, taksa progresive deri në 40% mbi të ardhurat hyri në fuqi më 1 tetor 1992.


 


 


Borxhi publik, në vitin 2013 do të rritet me afro 10%, ose në vlerë, gati 70 miliardë lekë


800 mln lekë – Shtesat e buxheteve për ministri të ndryshimeve, miratuar dje do të “sigurohen” nga rishikimi i projekteve me investime të huaja


Berisha – Kemi modelin më të mirë të rritjes ekonomike, kurse borxhi publik nuk konsiderohet shqetësues, në raport me vendet e rajonit


 


Ndryshimet e fundit


Ministria e Punëve Publike dhe Transportit – Në programin “transporti rrugor”, përfshihet projekti “sistemime e asfaltime në rrugën Lushnjë-Berat-Çorovodë” për vlerën 500 milionë lekë, përmes rialokimit


Ministria e Bujqësisë – Investime me 310 milionë lekë, nga të cilat 200 milionë lekë “kullimin dhe ujitjen”, 110 milionë lekë për projektin “Siguria ushqimore”


Ministria e Shëndetësisë – I shtohen shpenzimet operative me 100 milionë lekë, të cilat do të përdoren për transplantin e organeve


Ministria e Punës, Çështjeve Sociale – I shtohen shpenzimet për investime me 114 milionë lekë, për regjistrin e ndihmës ekonomike dhe të paaftësisë për punë


Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë – I shtohen shpenzimet për investime me 55 milionë lekë dhe ato korrente për 150 milionë lekë, të cilat do të përdoren për programin “Shoqëria e Informacionit”


Prokuroria e Përgjithshme – I shtohen me 30 milionë lekë shpenzimet për projektin “Menaxhimi i rasteve”


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – I shtohen shpenzimet për investime me 27 milionë lekë për rikonstruksionin e një magazine në Lundër


Kontrolli i Lartë i Shtetit – I shtohen shpenzimet e personelit me 10 milionë lekë për rritjen e pagave dhe 5 milionë lekë për trajnime dhe botime


Partitë dhe shoqata – Rialokohen brenda shumës së parashikuar, duke ruajtur raportet e vitit 2012, ku 189 milionë lekë për partitë, 9 milionë lekë për shoqatat dhe 2 milionë lekë për veteranët


Transferta e pakushtëzuar – Për pushtetin vendor korrigjohet me numrin e popullsisë sipas Censusit


Burimet: Shuma prej 801 milionë lekësh përballohet nga reduktimi i zërit financime të huaja në programin “Transporti Rrugor” në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit