Zbutet qëndrimi ndaj Perandorisë Osmane, vrasjet bëhen burgosje


Shqipëria dhe Kosova nuk kanë filluar ende as të debatojnë në terma shkencorë mbi rishikimin e historisë, por në Kosovë, tekstet e librave që flasin për periudhën e pushtimit osman, kanë filluar sakaq të ndryshojnë pa zhurmë e pa debat, bën të ditur një hetim gazetaresk i gazetës “Jeta” në Kosovë.


Dy vjet më parë, qeveria e Turqisë nisi një fushatë ku kërkoi të ndryshohen librat e historisë që studiohet nëpër shkolla në emër të miqësisë së mirë, duke cituar një marrëveshje të UNESCO-s, që synon shmangien e gjuhës së urrejtjes. Në Shqipëri, gjatë vitit të kaluar, një debat mediatik u zhvillua mbi përdorimin e termave “pushtim” apo “administrim”. Por në Kosovë, duket se kanë shkuar më tutje.


Më 5 prill 2011, ministri i Arsimit, Ramë Buja, krijoi komisionin me pesë anëtarë që do të merrej me këtë punë.


Por, zyrtarët turq nuk reshtën së kërkuari ndryshimet e historisë sa herë që vizitonin Kosovën.


Kjo ka ndodhur edhe gjatë vizitës në Kosovë të ministrit të Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu, dhe atij të Arsimit, Omer Dinçer.


“Turqisë nuk i pëlqen që kosovarët të mësojnë historinë e interpretuar nga Josip Broz Tito apo Enver Hoxha”, kishte thënë Ahmet Davutoglu, ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë, gjatë vizitës më 26 gusht 2011.


Ndërkohë edhe Dinçer vitin e kaluar kur takoi ministrin e Arsimit, Ramë Buja, kërkoi që të largohen paragrafët nga librat e historisë së Kosovës, të cilat përmbajnë fyerje për Turqinë dhe personalitetet historike të këtij vendi.


Tani, pasi që ndryshimet janë bërë, zyrtarët shtetërorë turq vlerësojnë se me këtë veprim do të fuqizojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërshtetërore.


Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, i tha gazetës “Jeta” në Kosovë se ndryshimet në librat e historisë do t’i kontribuojnë marrëdhënieve Kosovë-Turqi, të cilat, sipas saj, janë të shkëlqyeshme.


Ajo kujton se ngjashëm kanë vepruar edhe shtete tjera të cilat kanë jetuar në të kaluarën një histori të përbashkët.


“Llojet e tilla të punimeve të cilat synojnë largimin e shprehjeve të pakëndshme në librat e historisë ekzistojnë jo vetëm ndërmjet Gjermanisë e Francës, por edhe shumë shteteve përfshirë edhe vendin tim, e posaçërisht ndërmjet vendeve, të cilat kanë marrëdhënie fqinjësore”, tha Ozan.


“Redaktimi” i Historisë


Komisioni i ngritur nga ministri Buja dorëzoi para më shumë se gjashtë muajsh rekomandimet se në cilat pjesë duhet të korrigjohen librat e historisë.


Gazeta “Jeta” në Kosovë ka siguruar rekomandimet që ka bërë komisioni.


Nga korrigjimet e librave të historisë nga klasa e 5-të deri në të 13-tën, del se Perandoria Osmane gjatë shekujve të pushtimit të viseve të banuara me shqiptarë, nuk ka vrarë, ushtruar dhunë apo se ishte e ashpër. Në vend të këtyre shprehjeve, sipas korrigjimeve, sulltanët me ushtrinë e administratën e tyre, sunduan, burgosën dhe ushtruan ndërhyrje ushtarake. Ndryshimeve nuk u kanë shpëtuar as librat e kulturës muzikore.


“Sa i përket muzikës, pala turke mund të ketë pasur vërejtje si për himnizim të figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, ka thënë kryesuesi i komisionit. Ai thotë se nuk i kujtohet në detaje çfarë ndryshimesh janë bërë në këtë rast.


 


Box


“Korrigjimet” në librat e historisë


Këto janë vetëm disa nga ndryshimet që nga viti i ri shkollor 2013-2014, që do të vendosen në librat e historisë së klasave fillore e të mesme.


Gazeta “Jeta” në Kosovë ka gjetur gjithashtu disa prej ndryshimeve konkrete që kanë pësuar librat e historisë nga klasa e pestë deri në klasën e trembëdhjetë.


Shembujt e paraqitur në këtë rast u takojnë librave të historisë së klasës së pestë, së gjashtë dhe të tetë.


Në librin aktual të historisë së klasës së pestë, në faqen 62, fjalët “dhunë” dhe “vrasje” në raport me Perandorinë Osmane – janë fshirë. Në vend të tyre janë vendosur “pushtim” dhe “burgosje”.


Në faqen 48 të librit aktual, në lidhje me marrjen e pronave dhe pasurisë së shqiptarëve, janë fshirë fjalët “…hakmarrje” dhe “…vrasje”.


Në vend të tyre është vendosur fjalia “…marrja e pronave, vendosja e taksave, si dhe depërtimi i një pjese të popullatës vendase…”.


Fjalia “…osmanët vranë shumë shqiptarë…”, është fshirë tërësisht kurse në faqen 69 të librit aktual, fjala “…ashpërsi” është shndërruar në “…ndërhyrje ushtarake”.


Ndryshimet e tjera janë bërë në faqen 83 të librit të historisë së klasës së 6, ku fjalia “…sundimi i egër osman…”, është shndërruar në “…pushtimi osman”.


Vijë i është rënë edhe pjesëve të librit të historisë së klasës së 8 si në faqen 68, ku fjalia “…merreshin masa të rrepta ndaj atyre që nuk ishin të fesë islame…”, tash ka tjetër kuptim.


“…Në praktikë, të gjithë shtetasit në viset e tyre të pushtuara nga Perandoria Osmane, në jetën e përditshme ishin të barabartë para ligjit. Natyrisht ndonjëherë shfaqeshin keqpërdorimet e nëpunësve lokalë osmanë në kuadrin e reformave të tanzimatit”.