Kryesocialisti Edi Rama ka vijuar prezantimin dhe diskutimin e programit për një Rilindje Shqiptare në Rrëshen, ku është takuar me drejtues dhe përfaqësues të sindikatave më të mëdha në vend, si dhe me banorë të zonës. Kreu i PS, i shoqëruar edhe anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Lindita Nikolla, si dhe Kryetari i Grupit të Punës për Çështjet Sociale, Kosta Barjaba ka bashkëbiseduar për më shumë se 2 orë me përfaqësuesit e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Sindikatës së minatorëve ’91 dhe minatorë të ndryshëm, lidhur me gjendjen në të cilën ata ndodhen, por edhe problematikët e shumta që kanë në punën dhe jetën e tyre si pasoje e krizës ekonomike dhe indiferentizmit të qeverisë.


“Nuk besoj që në këtë sallë të ketë njerëz që nuk kanë borxhe. Unë jam i bindur që ata fare pak që nuk e ngritën dorën llogarisin vetëm borxhet që njerëzit kanë sot ndaj njëri- tjetrit. Por nuk llogarisin pjesën e tyre në borxhin që e merr qeveria në emër të tyre dhe e paguajnë ata. Ky borxh ka kapërcyer 3000 euro. Ky borxh i kushton një familjeje sot 800 mijë lekë në vit për shpenzimet e borxhit. Janë 800 mijë lekë që mungojnë në ekonomi, janë 800 mijë lekë që mungojnë në arkën e shqiptarëve për shkak se shkojnë për shpenzimet e borxhit. Ky borxh është një gropë e madhe ku Shqipëria rrezikon të bjerë dhe të ndodhet në një situatë që sot ne nuk e parashohim dot”, ka thënë Rama. Kryesocialisti ka theksuar se sot vendi po shkon në drejtim të gabuar dhe po njeh përparim negativ, sepse është botërisht më i korruptuar, është botërisht më i papunë dhe është botërisht më i pashpresë. “Ajo që ne angazhohemi të bëjmë, është që së pari të vendosim të vërtetën në themelin e punës së qeverisë dhe të marrëdhënieve të njerëzve me qeverinë, duke i dhënë fund historisë së shifrave të manipuluara të punësimit, të rritjes ekonomike të cilësisë së shërbimeve dhe duke hapur një kapitull ku e vërteta sado e hidhur që të jetë, duhet të jetë themeli i punës së qeverisë dhe i marrëdhënieve të qeverisë me publikun”, ka thënë Rama.


Sipas tij qëllimi i qeverisjes së nesërme do të jetë hapja e një kapitulli të ri për të ndryshuar këtë gjendje skandaloze ku e ka zhytur vendin qeveria aktuale dhe për t’i dhënë drejtimin e duhur zhvillimit të vendit. “Dua t’ju them se arsyeja pse unë jam vendosmërisht i angazhuar në këtë përpjekje nuk është që me votën e shqiptarëve të iki një kryeministër që i ka dalë dhe kurrizi dhe të vijë një kryeministër edhe më i gjatë. Nuk është ky qëllimi. Nuk është qëllimi as që të ikin disa që tundin një flamur blu e të vijnë disa që tundin një flamur lejla. Qëllimi është që të mbyllim një kapitull dhe të hapim një kapitull tjetër. Për këtë arsye të gjithë ju jeni shumë të rëndësishëm në këtë proces, sepse të gjithë ju jeni zëra të kurajës dhe të shpresës. Unë do kërkoja që ju të bëheni zëdhënësit e këtij projekti. Të bëheni mbrojtësit e kësaj shprese dhe të bëheni fuqia e këtij besimi se gjërat mund të bëhen ndryshe dhe gjërat do ndryshojnë”, ka përfunduar Rama.


18 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)