Shqetësimet
Kryesocialisti dëgjon pretendimet e drejtuesve vendorë të Durrësit, Elbasanit, Korçës dhe Vlorës
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zgjodhi Fierin për të zhvilluar një mbledhje me të zgjedhurit vendorë socialistë në kuadër të vështirësive ekonomike që po përjeton ky pushtet në vend. Në takimin e zhvilluar Rama deklaroi se ekonomia shqiptare aktualisht po rrënohet dhe të zgjedhurit vendor janë të parët që përballen me vështirësitë dhe varfërinë që zë vend te qytetarët. Rama theksoi se ai i kuptonte shumë mirë vështirësitë me të cilat po përballej pushteti vendor në Shqipëri, si pasojë e fondeve të pamjaftueshme që ata administronin në kuadër të shkurtimeve të vazhdueshme në buxhetin e tyre. “Bazuar mbi këtë model qeverisës, siç po rrënohet ekonomia, siç po rrënohen familjet në nevojë dhe po shtohet numri i familjeve të varfra, siç po rrënohet sipërmarrja e madhe apo e vogël siç po rrënohen shërbimet publike, shëndetësi, arsim, ashtu po rrënohet edhe buxheti i njësive vendore”, theksoi Rama. Këto shqetësime të kreut të opozitës i mbështetën dhe krerët e bashkive kryesore në vend, si Durrësi, Elbasani, Korça dhe Vlora. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u shpreh se kjo njësi vendore po përballej me vështirësi të thella financiare si pasojë e kalimit të të ardhurave te CEZ. “Ky buxhet është rrënues ndaj bashkive dhe komunave. Është një buxheti i cili i ka hapur një rrugë me transfertë e pakushtëzuar, një fenomeni shumë të rrezikshëm. Bashkia e Durrësit, akoma nuk e ka marrë Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe penalizohet nga kjo qeveri vetëm me arsyetimin, sepse i ka borxh kompanisë CEZ”, deklaroi Vangjush Dako. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, theksoi se kësaj bashkie nuk i jepej për administrim ujësjellësi i qytetit ndonëse një gjë e tillë kërkohej me ngulm. “Unë nuk e kam ujësjellësin në administrim. E kërkoj dhe nuk ma japin. Pra ka probleme mjaft të çuditshme dhe në zbatimin e ligjit. Kështu siç jemi dhe në këto kushte ne jemi të paralizuar”, evidentoi ai.
Kryetari i Bashkisë së Korçës, e ka konsideruar buxhetin e radhës të qeverisë si tejet arrogant dhe larg interesave të qytetarëve. “Ky mbi të gjitha është një buxhet arrogant, buxheti i shtetit nuk është buxheti i qeverisë. Buxheti i shtetit është buxheti i shqiptarëve, krijohet me taksat që shqiptarët tanë paguajnë. Qytetarët tanë paguajnë shumëfish më tepër taksa kombëtare krahasuar me taksat lokale”, theksoi Niko Peleshi. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, deklaroi Kryeministri me këtë dëm ekonomik që i kishte bërë vendit meritonte të ikte. “Unë jam sot këtu në këtë takim për t’i bërë me dije të ashtuquajturit Kryeministrit, ende në detyrë dhe për pak kohë, që me këto buxhete ai mendon se dëmton ne, realisht ka dëmtuar qytetarët. I them Kryeministrit që mua më ka në ballë të punës politike që në 23 qershor ky Kryeministër të shporret me gjithë këtë buxhet”, theksoi ai. Pas këtyre diskutimeve, kreu i PS-së, Rama, deklaroi se me ardhjen në pushtet të socialistëve situata do të ndryshonte.
F.M