Ambasadori i BE-së: Jam dakord me Arvizunë: Jo ndryshime kufijsh


Ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, dënoi retorikat nacionaliste që janë ngjallur në politikën shqiptare. Në vazhdën e deklaratës së ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, Sequi theksoi se Bashkimi Europian kërkon me çdo kusht që Shqipëria të ruajë fqinjësi të mirë me shtetet që e rrethojnë. “Ambasadori amerikan dha disa argumentime, me të cilat jam plotësisht dakord, sikurse edhe me vërejtjet e kolegut amerikan, por dua të jap pozicionin e BE-së për këtë çështje. Bashkimi Europian beson se çështja e integritetit kufitar nuk është çështje, ne nuk duam të shohim ndryshime kufijsh. Konkluzionet e Këshillit Europian për Shqipërinë, pra mendimi i 27 vendeve anëtare të BE-së, është se e mirëpret rolin konstruktiv në rajon dhe i bën thirrje Shqipërisë të shmangë deklaratat që janë në kundërshtim me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Ky rol stabilizues është gjithashtu pjesë e detyrimeve në rrugën europiane”, deklaroi Sequi, duke e bërë të qartë se deklarata të tilla nuk mund të toleroheshin. Pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të BE-së miratoi amendamentin e Parlamentit Europian në të cilin shprehej shqetësimi për rritjen e deklaratave nacionaliste në Shqipëri dhe po kështu kërkohej roli stabilizues i Shqipërisë në rajon. Ky amendim duket se ka ardhur edhe si pasojë e presionit të fortë që ka shkuar në Bruksel nga fqinjët e Shqipërisë, referuar deklaratave nacionaliste kryesisht të ardhura nga Kryeministri Berisha.


 


Anulimi – Politikanët e lartë të vendeve fqinje si Greqia dhe Shqipëria, anuluan vizitat e tyre në kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit, si rezultat i këtyre deklaratave