Bashkia parashikon në buxhet dëmshpërblimin e pronarëve për dy hektarë tokë që do t’u shkojë shërbimeve funerale


Lorina Mixha


Brenda tremujorit të vitit të ardhshëm, Ndërmarrja e Shërbim Funeraleve, nën varësinë e Bashkisë së Tiranës, do të realizojë për herë të parë në vendin tonë varrezat e para murale.


Një investim i tillë për ngritjen e varrezave murale është përfolur për vite me radhë, ndërkohë që projekti konkret për realizimin e një iniciative të tillë është bërë gati e madje edhe buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2013 ka parashikuar zëra të veçantë për investimet në sektorin e shërbimeve funerale, si dhe në dëmshpërblimin e pronarëve, të cilët do të lëshojnë banesat apo bizneset për t’u lënë vend varrezave.


Viti 2013


“Janë parashikuar kompensimet e pronarëve për zonën e Sharrës për 2 hektarë tokë në këtë zonë. Ndërkohë që pritet edhe zbatimi i projekteve të reja për vitin 2013”, deklaruan specialistët e bashkisë. Sipas buxhetit të vitit të ardhshëm, janë edhe 30 milionë lekë të reja që do t’i shkojnë për administrim drejtorisë së shërbimeve funerale në bashkinë e kryeqytetit.


Sipas të dhënave të këtij sektori, Sharra ka probleme me hapësirat, pavarësisht parcelave të reja të hapura në vazhdimësi. Ndërsa në zonën e Tufinës, duke pasur parasysh edhe numrin mesatar të personave që humbasin jetën çdo ditë, parcelat aktuale përmbushin nevojat deri në gjashtëmujorin e dytë të vitit të ardhshëm.


Vit pas viti, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendime për shpronësimin e pronarëve, rimbursimin e tyre dhe sigurimin e hapësirave të reja për nevojat që ka sot kryeqyteti.


Sipas Ndërmarrjes së Funeralit pranë Bashkisë së Tiranës, çdo vit humbasin jetën rreth 3 mijë persona, të cilët varrosen në Sharrë dhe në Tufinë.


Parashikimi


Me nisjen e projektit të varrezave murale, ku do të vendosen eshtrat e 105 italianëve civilë, pritet të thyhet edhe mentaliteti i qindra qytetarëve, të cilët deri tani nuk i janë bashkuar projektit dhe idesë për krijimin e varrezave të tilla.


Pas diskutimeve të para dhe publikimit të projektit të bashkisë, përfaqësuesit e pushtetit vendor kanë rëndë dakord edhe me komunitetet fetare për të bashkëpunuar dhe për të qenë në rregull si me realizimin e varrezave murale ashtu edhe me ritet dhe rregullat e besimit. Zgjerimi i varrezave, hapja e parcelave të reja, si dhe krijimi i varrezave murale, pritet që të përmbushë nevojat të paktën për dy vitet e ardhshme dhe për të zgjidhur “krizën” e gjetjes së varrit për të vdekurit, problem ky aktual i viteve të fundit për qytetarët e Tiranës që, përveç dhimbjes së humbjes së të afërmit, njoftimeve e organizimit të ceremonisë duhet të zgjidhin problemin kryesor, atë të gjetjes së truallit për prehjen e të ndjerit në banesën e fundit.


Në qershor të këtij viti, Këshilli i Ministrave miratoi çeljen e fondit mbi 30 milionë lekë për shpronësimin e pronarëve që preken nga zgjerimi i varrezave të Tufinës. Bëhet fjalë për 4090 m2 truall, në varrezat e kryeqytetit. Fondi i kompensimit përballohet nga Bashkia e Tiranës.


 


Të dhëna


Projekti – I varrezave murale do të zbatohet brenda tre muajve të parë të vitit të ardhshëm. Ndërmarrja e Shërbimeve Funerale në Bashkinë e Tiranës ka gati strukturën


Negocimi – Për realizimin e një projekti të tillë, për varrezat murale, përfaqësuesit e bashkisë kanë rënë dakord edhe me drejtuesit e komuniteteve fetare


Kompensimi – Janë dy hektarë tokë, të cilat do të përdoren për varrimet e qytetit të Tiranës. Buxheti i bashkisë për vitin e ardhshëm parashikon para edhe për shpronësimet