Sokol Malaj – Sipas bashkëpunëtorëve të ish-kryeprokurorit të Tiranës, Malaj do të vijojë të punojë në akuzën e kryeqytetit. Mësohet se ish-prokurori i Krimeve të Rënda, të Vlorës dhe Tiranës, do të jetë pjesë e njësisë Task-Forcë


Sokol Stojani – Drejtori i hetimit, gjatë mandatit si kryeprokuror të Ina Ramës, mësohet se do të qëndrojë prokuror i thjeshtë në akuzën qendrore. Transferimi i tij në prokurori të tjera, Apeli apo të rretheve, nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Stojanit


Sulmon Ina Ramën: Mbylli dosjet e parave të dyshimta të zyrtarëve



“Gërdeci” – Llalla tha se po grumbullon informacion për këtë çështje, pasi është në ditët e para si numri një i akuzës, dhe i duhet të analizojë kërkesat e akuzës në këtë proces gjyqësor


“21 janari” – Kryeprokurori u pyet sesi do të veprojë nëse ndodh një ngjarje e ngjashme me 21 janarin dhe ai u përgjigj se “do të veprojmë me prioritet dhe përgjegjësit do të hetohen dhe ndëshkohen”


Sokol Malaj dhe Sokol StojaniKryeprokurori i ri, Adriatik Llalla, thotë se do të reformoj sistemin me “dorë të hekurt”, ndërsa ka dhënë urdhrat e parë, të cilat janë për masa të ashpra dënimi ndaj të pandehurve me akuzat e korrupsionit. Në një takim me vartësit, ai tha se politika e dënimit për personat që marrin e japin ryshfet, shpërdorojnë dhe abuzojnë me detyrën, të jetë në maksimum, duke mos lënë asnjë hapësirë ligjore, megjithëse gjykatat mund të vendosin pafajësi, siç kanë vepruar deri më tani, me gjithë ndryshimet e kryeprokurorëve. Sipas burimeve konfidenciale nga akuza qendrore, takimi me vartësit për korrupsionin është bërë menjëherë sapo Llalla ka marrë detyrën. Kërkesa e tij e parë ka qenë për luftë të ashpër për cilindo kryen korrupsion, ndërsa i ka kërkuar që çështjet e ILDKP-së, megjithëse ka konflikt interesi tashmë, të merren më seriozisht. Gjatë kohës që drejtonte institucionin që kontrollonte pasuritë e zyrtarëve, Llalla ka kritikuar shpeshherë prokurorinë, duke pohuar se nuk i dërgojnë çështjet në gjykatë. Në një replikë të akuzës, pohohej se është gjykata ajo që nuk jep vendime fajësie për këtë kategori veprash penale. Tashmë do të presim “reagimin” e gjykatës për veprat penale të korrupsionit, duke e ditur që kjo lloj kategori veprash penale, asnjëherë nuk ndëshkohet, pasi gjykatat e të tria niveleve kanë dhënë shumë pafajësi.


Reformë me “dorë të hekurt”


Në intervistën e parë në postin e kryeprokurorit, dhënë për “Zërin e Amerikës”, zoti Llalla ka paralajmëruar një reformë të gjerë në sistem, duke pohuar se do të ndryshojë drejtues dhe prokurorë që nuk përfaqësojnë interesat e akuzës. “Do të largoj ata prokurorë dhe drejtues në qendër dhe rrethe që nuk justifikojnë institucionin, duke emëruar personat përgjegjës. Është e vërtetë që ka shumë gjyqtarë dhe prokurorë të aftë, por dekurajohen nga një pakicë që njollosin drejtësinë”, tha kryeprokurori, ndërsa përmendi edhe çështjet e nxehta, si “Gërdecin” dhe “21 janarin”. Llalla tha se po grumbullon informacionin për këto çështje, pasi është në ditët e para si numri një i akuzës, dhe i duhet të analizojë kërkesat e akuzës në këto procese gjyqësore të ndjeshme për opinionin publik, në një kohë që janë dorëhequr drejtori i hetimit në akuzën qendrore dhe kryeprokurori i Tiranës, dy drejtues që kanë vendosur deri më tani për këto çështje. “Do të mbështes punën e deritanishme në hetimin e gjykimin e çështjes ‘Gërdeci’, ashtu edhe me ‘21 janarin’” tha ai, ndërsa u pyet sesi do të vepronte si kryeprokuror nëse ndodh një ngjarje e tillë gjatë mandatit. “Hetimi i këtyre rasteve është shumë i rëndësishëm, ne do të veprojmë me prioritet dhe përgjegjësit do të hetohen dhe ndëshkohen”, vijoi kryeprokurori, ndërsa u pyet edhe për presionet e mundshme të politikës. Ai paralajmëroi se politika nuk do të guxojë t’i afrohet prokurorisë për t’i bërë presion asaj për çështje të caktuara. “Nisur nga përvoja e mëparshme, e them me bindje të plotë se nëse drejtuesi nuk i afrohet politikës, por bën detyrën, politika kam bindjen se nuk i afrohet institucionit”, theksoi Llalla teksa deklaroi se ai ka mbështetjen e plotë të palëve. Për hetimin e çështjeve kryesisht, tha se do të hetojë të gjitha indiciet për korrupsion dhe do të hapë hetime kryesisht në çdo rast, për çdo zyrtar. “Kam ardhur me një vullnet të të gjithë politikës kombëtare, jam para një përgjegjësie që do e përmbush në mënyrë korrekte të marrë nga ligjvënësi”, përfundoi kryeprokurori i ri, i cili ka vetëm një javë në detyrë.


 


Llalla, sulm Ina Ramës


“Mjaft dosje të kallëzuara prej nesh për zyrtarë të niveleve të ndryshme të akuzuar për korrupsion të gjetura nga ana jonë në ILDKP, me fakte provuese se ata kishin kryer vepra penale në fushën e deklarimit ose mosdeklarimit të pasurive të krijuara në mënyrë të ligjshme, janë pushuar në mënyrë të padrejtë nga ana e prokurorisë. Dosjet e kallëzuara nga ILDKP-ja dhe nga institucione të tjera shtetërore dhe joshtetërore, kur bëhet fjalë për korrupsionin, do të hetohen me përparësi dhe do të kërkohet ndëshkimi i gjithë shkelësve të ligjit në bazë të dispozitave që parashikon Kodi Penal”, tha kryeprokurori. Sipas tij, prokuroria i ka të gjithë kompetencat që të thërrasë, të kryejë hetime lidhur me çdo zyrtar pa përjashtim, duke përfshirë që nga Presidenti i Republikës dhe deri te qytetari më i thjeshtë. “Parlamenti i ka hequr imunitetin çdo zyrtari, duke shprehur vullnetin e tij, por fakti që deri tani ndaj askujt nuk është filluar as edhe një hetim, tregon për një dobësi të institucionit të prokurorisë. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se krime të natyrës së korrupsionit zyrtarët shqiptarë kryejnë çdo ditë”, tha Llalla. s.ç.