“Fiks Fare”
Tiranë
Ka mjaftuar një ankesë e një emigranti, që emisioni investigativ “Fiks Fare” të zbulojë detaje të korrupsionit në Komisariatin e Policisë së Qarkullimit Rrugor në Tiranë. Gazetarët e këtij emisioni kanë ndjekur ankesën e një emigranti, i cili sapo ishte kthyer Shqipëri, ku kishte kryer një aksident me automjetin e tij.
Aksidenti ka ndodhur në rrugën që të çon në Aeroportin e Rinasit. Në vendngjarje policia, sipas emigrantit, nuk kishte kryer akt-ekspertimin, por i ka bllokuar dokumentet e qarkullimit të makinës, si dhe patentën dhe kanë gjobitur emigrantin, ndërsa më pas i kanë mbajtur dokumentacionin e makinës së tij, në kundërshtim me ligjin. Ndërsa i kanë marrë dokumentet e makinës së tij, punonjësit e policisë së qarkullimit rrugor të kryeqytetit e kanë sorollatur emigrantin shqiptar për më shumë se katër ditë, për t’i kërkuar para në këmbim të dokumenteve. Policët nuk i kanë dorëzuar dokumentet e tij në Komisariatin e Policisë së Qarkullimit Rrugor, por i kanë mbajtur për të kërkuar para në këmbim të tyre. Shuma që i kishin kërkuar ishte tridhjetëmijë lekë të reja. I gjendur përballë këtij fakti, emigranti ka kërkuar ndihmën e emisionit investigativ “Fiks Fare”, për të marrë dokumentet. Ndërsa gazetarët kanë ndjekur në detaje gjithë sorollatjen që i është kryer atij, me qëllimin e vetëm për t’i marrë lekët në mënyrë të kundërligjshme.
Njëkohësisht me bllokimin e dokumenteve të automjetit policët e kanë gjobitur emigrantin, i cili është drejtuar për në sportelin e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor të Tiranës ku ka paguar gjobën prej 20 000 lekësh. Ai atje është interesuar për të tërhequr dokumentet, por sipas tij, zëvendëskryetari i Komisionit të Patentave, z. Ardian Ndreu, i ka kërkuar shumën prej 30 000 lekësh. I ndodhur para kësaj situate, ai ka kërkuar ndihmën e “Fiks Fare”, i cili ndoqi me kujdes të gjitha detajet e marrjes së dokumentacionit, pas pagesës nën dorë të lekëve.
Ardian Ndreu, me detyrë zëvendëskryetari i Komisionit të Patentave në Komisariatin e Policisë Rrugore në Tiranë, i ka lënë takim emigrantit te një lokal, pranë komisariatit, dhe pasi ka mësuar se paratë që emigranti do i jepte për marrjen e letrave i ka marrë borxh, i ka mbajtur atij 25 000 lekë. Ky moment është xhiruar nga ana e “Fiks Fare”. Pas marrjes së lekëve menjëherë Ardian Ndreu ka telefonuar kolegen e tij, e cila ndodhej me shërbim në një nga akset rrugore të Tiranës, duke urdhëruar atë t’i jepte dokumentet. Më pas emigranti ka kontaktuar direkt me punonjësen e policisë rrugore dhe pasi i ka treguar se kishte paguar 25 000 lekë dhe që është siguruar për pagesën, i ka dhënë dokumentet. Në bisedë me emigrantin, punonjësja e policisë është shprehur se nëse ai do të kontaktonte direkt me të do ta zgjidhte më shpejt problemin.
Biseda e emigrantit me zëvendëskryetarin e Komisionit të Patentave, Ardian Ndreu
Polici – Çfarë janë këto?
Shoferi – Hajde të ulemi!
Polici – Po hajde ulu, të pres unë se jam në punë.
Shoferi – Letrat tani i kam? Lekët i gjeta.
Polici – Merri letrat dhe ik në punën tënde.
Shoferi – Po pra, hajde silli letrat (dokumentet e makinës) merr lekët, çfarë të them më?
Polici – Po mos bërtit kështu!
Shoferi – A më dëgjon, për kokën e atij fëmije kam shkuar e i kam marrë borxh për shpirtin e nënës!
Polici – Po pra më the, më the edhe unë të thashë mos u ashtu, shiko punët e tua vetë, a të thashë shqip? Lëre tani mos ja … motrën, vjen e më thua të eeeeee.
Shoferi – Më ikën trutë, se e kam djalin në gjendje të rëndë, se s’e kam mirë. Me e pas mirë, nuk vij të rri këtu. Po nuk pata dokumentet nuk e ndez dot makinën. Të paktën kaq a je i bindur me mua?
Polici – Mos m’i ngatërro më punët! Tani në daç me qëndru rehat, më thuaj, Ardian mos fol, e unë nuk flas.
Shoferi – Mirë.
Polici lidhet në telefon me kolegen, e cila është në postbllok.
Polici – Ku je, ku është ura e Beshirit, poshtë te …….., te ura e Beshirit poshtë Kombinatit, te “Kështjella”, po mirë do vijë të takojë një njeriu im. Merre makinën ke për të ikur atje, s’ke për të bërë asnjë fjalë, ke për të marrë dokumentet e ke për të ikur në punën tënde. Po prit se jemi në mes të dynjasë i… motrën, më çmende mo burrë! Mandatin e gjobës, e ke paguar 20 000 lekëshin?
Shoferi – Po more vëlla.
Polici – Ku e ke mandatin?
Shoferi – Ja kam dërguar ………
Polici – Ja ke dërguar L…….. Bukur fort, a e pive këtë kafe?
Shoferi – Ma paguaj këtë paketë dhe kafe.
Polici – Ja unë mor burrë.
Shoferi – Faleminderit!
Polici – Bjeri ato lekë!
Shoferi – Numëroji!
Polici – Një sekondë mos u turr ashtu se i… nënën.
Shoferi – Çfarë mos me u turr o burrë, e kam djalin në gjendje të rëndë.
Polici – (Numëron lekët) 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 16, 17, 18, 19, 20, 21, 22, 23, 24, 25. Merri këto t’i kesh në xhep, paguaj kafen dhe paketën dhe shko në punën tënde!
Shoferi – Faleminderit!
Polici – Dakord.
Shoferi – A po i thua asaj?
Polici – Po është duke të pritur pra. Dhe shiko këto fjalë që bëmë bashkë, si dua kund më.
Shoferi – Hë mo, se jam duke ikur.
Vajtja te policja që kishte mbajtur letrat.
Shoferi pyet policët në postbllok te “Casa Italia”.
Shoferi – A dinë gjë ku është Arta?
Polici i qarkullimit – Arta këtu është, po ka ikur, Arta këtu është.
Shoferi telefonon Artën.
Shoferi – Unë këtu jam te makina juaj, tek autobusi, të pashë, të pashë, pashë.
Policja e qarkullimit – A i ke të tëra letrat?
Shoferi – Po të tëra! Je njësh!
Policja qarkullimit – Nuk jam unë njëshi. Ta kishe lënë tek unë, kisha mbaruar punë që atë ditë, po ishte faji juaj atë ditë.
