Edukatorët në punë, deri më 31 dhjetor. Mësuesit, çdo ditë pushimi u hiqet nga leja
Shpresa Mezini
Nxënësit e shkollave të mesme, 9-vjeçare apo studentët do të nisin pushimet më datë 21 dhjetor. Përjashtim bëjnë fëmijët që ndjekin një nivel tjetër arsimor, siç janë kopshtet apo ccerdhet, që mund t’i frekuentojnë ato deri më datë 31 dhjetor. E kundërta mund të ndodhë vetëm në rastet kur prindërit nuk preferojnë t’i dërgojnë fëmijët në kopshte, duke qenë atmosferë festash. Kjo vlen si për kopshtet me drekë, ashtu edhe për ato pa drekë. Ndryshimi është se prindërit që paguajnë për të dërguar fëmijët e tyre në kopshte me drekë, fundjavën e kanë pushim, ndërsa kopshtet pa drekë nuk bëjnë asnjë ditë pushim, as natën e madhe të ndërrimit të viteve dhe kjo praktikë është pothuajse e njëjtë me atë të mësuesve. Arsimtarëve çdo ditë pushimi do t’u mbahet nga leja vjetore, ose do të ketë forma të tjera alternative, siç janë trajnimet në funksion të shkollës ku punojnë.
Drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, sqaron për gazetën “Shqip” se kopshtet janë të hapura edhe për festat e fundvitit, për shkak se struktura vjetore e vitit shkollor, nuk e trajton këtë nivel arsimor, për rrjedhojë ato rregullohen brenda për brenda institucionit.
Duke iu referuar udhëzimit të Ministrisë së Arsimit për vitin 2012-2013, nxënësit e arsimit parauniversitar duhet ta nisnin periudhën e parë të pushimeve më datë 24 dhjetor, për t’ju kthyer sërish mësimeve më datë 6 janar të vitit 2013.
Por, sipas të dhënave nga ekspertët e Arsimit, rezulton se shkolla do të mbyllet më 21 dhjetor, dhe do të çelet më 7 janar të vitit të ardhshëm. Sipas tyre, kjo zhvendosje e planit lidhet me faktin, se data 21 është ditë e premte, dhe fillimin e fundjavës (22 dhe 23 dhjetor), ndërkohë që pas së hënës do të festohen Krishtlindjet në të gjithë vendin.
Viti shkollor 2012-2013 nisi më 10 shtator. Semestri i parë i shkollave të arsimit bazë përfundon më datë 23 janar 2013, ndërsa semestri i dytë fillon më datë 28 janar 2013.
Mirëpo, duke iu referuar vendimit të vitit 2010, ku parashikohen 3 periudha pushimesh, rezulton se e treta nis në periudhën 27 – 31 mars 2013. Në udhëzimin e ministrisë përcaktohet se arsimi bazë e mbyll vitin shkollor më 7 qershor 2013. Periudha e Provimeve të Lirimit do të jetë në datat 10 – 23 qershor 2013. Arsimi i mesëm, pa përfshirë zhvillimin e procesit të Maturës Shtetërore do të përfundojë më 14 qershor të vitit 2013. Për maturantët viti shkollor do të mbyllet më 24 maj 2013. Periudha e provimeve të Maturës Shtetërore do të jetë në datat 24 maj – 30 qershor 2013.
Datat
Shkollat e mesme, 9-vjeçare apo universitetet do t’i nisin pushimet e fundvitit më 21 dhjetor deri më 7 janar
Përjashtimi
Kopshtet, si me drekë apo drekë, nuk do të bëjnë asnjë ditë pushimi, ndonëse në prag festash. Hapur, deri më 31 dhjetor