Bllokohet në Himarë një skaf italian, i cili po transportonte rreth 300 kg drogë. Destinacioni i lëndës narkotike ka qenë Greqia, po moti i keq dhe me dallgë të forta ka detyruar mjetin lundrues të ndërrojë kurs dhe të dalë në brigjet shqiptare. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë kanë deklaruar se skafi po lëvizte  nga ujërat territoriale greke, Ishujt e Fanit, me drejtim për në ujërat territoriale shqiptare, Dhërmi.


“Mjeti është mbikëqyrur për disa orë me radhë nga shërbimet e policisë derisa rrymat e forta ujore, pasi lëvizshmëria e detit ishte 8 ballë, e kanë futur në  territorin Shqiptar. Më pas Shërbimet e Drejtorisë Rajonale për Kufirin & Migracionin Vlorë dhe Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë kanë arritur që ta nxjerrin në breg ku kanë konstatuar se ishte një skaf me mbishkrime dhe matrikulime italiane”, sqarohet në njoftimin zyrtar.


Në skaf janë gjetur rreth 300 kg cannabis sativa, të ndara në disa çanta. Nga hetimet e deritanishme rezulton se  skafi ka ardhur nga territori italian në territorin Grek dhe për shkak të detit të trazuar dhe rrymave të forta detare është braktisur nga trafikantët dhe ka dalë në ujërat tona territoriale. Drejtoria Rajonale për Kufirin & Migracionin Vlorë dhe  Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë po punojnë për identifikimin e arrestimin e trafikantëve të drogës.


19 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)