Kallëzim penal për bashkitë
Festat e fundvitit janë duke afruar por si në çdo vit sërish personat me aftësi të kufizuar nuk po marrin pagesat që u takojnë me ligj. Për personat me aftësi të kufizuar nuk do të ketë festë. Ata dhe familjet e tyre nuk do të përfshihen në festime pasi i kanë xhepat bosh. Në shumë komuna të thella, pagesat nuk po jepen që nga muaji shtator. Presidenti i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar, Sinan Tafaj, deklaroi dje se Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar shpreh shqetësimin e thellë për mosrealizimin e pagesave të aftësisë së kufizuar në një numër të madh komunash e bashkish.
Sundimi i ligjit në një shtet ligjor nuk lejon për asnjë çast shkeljen e së drejtës së fituar me ligj, veçanërisht kur kjo lidhet me pagesat e vetme e me karakter jetik. “Ne paralajmërojmë të gjithë funksionarët e këtij shteti, të cilët në përmbushjen e funksionit të tyre publik kanë për detyrë realizmin e këtyre pagesave, se do të jenë objekt i kallëzimit penal për shpërdorim detyre, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Ne i garantojmë se edhe në rast se do të ketë një vendim pushimi nga organi i akuzës, do të paraqesim ankim në gjykatë kundër këtij vendimi”, tha Tafaj. Sipas tij, përfaqësuesit e PAK i bëjnë thirrje të gjithë këshillave të komunave e bashkive e kryetarëve të tyre që të tregojnë përgjegjshmëri dhe angazhim në rast të çeljes së fondeve për këto pagesa, edhe në ditën e fundit të vitit. “Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për mosçeljen e plotë apo të pjesshme të këtyre fondeve ose për çeljen e tyre në mënyrë preferenciale, duke lënë jashtë mundësisë së pagesës bashki e komuna të thella apo grupe të caktuara. Të gjithë janë shtetas, të gjithë gëzojnë të drejta të barabarta dhe të gjithë duhet t’i marrin pagesat në kohën e duhur dhe në mënyrën e përcaktuar nga ligji”, sqaroi Tafaj. L.Mixha