Gjendja kritike, takim urgjent mes Fullanit dhe Bodes për krizën te bankat
Banka e Shqipërisë pranon me dy javë vonesë se guvernatori Ardian Fullani ka zhvilluar një takim me ministrin e Financave, Ridvan Bode, në zyrën e këtij të fundit, dhe në prani të disa krerëve të institucioneve financiare në vend. Mbledhja është mbajtur më 3 dhjetor, por zyra e shtypit e bankës i zbardhi dje (18 dhjetor) çështjet që janë diskutuar, nisur nga gjendja alarmante në sektorin bankar për shkak të rënies së aftësisë paguese. Mësohet se Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar, drejtuar nga ministri i Financave, diskutoi fillimisht mbi ecurinë e kreditimit në sektorin bankar. Përfaqësuesit e BSH-së evidentuan shkaqet për përkeqësimin e cilësisë së kredisë, si dhe ndikimin e tij në rezultatin e veprimtarisë së sektorit bankar dhe të ekonomisë reale. “Ngadalësimi i konsumit dhe i investimeve publike e private ka sjellë rënien e kërkesës për kredi, dhe ngadalësimi i theksuar i rritjes ekonomike ka ndikuar në rënien e aftësisë paguese të kredimarrësve”, thotë banka. Në takim është folur edhe për borxhet e qeverisë ndaj firmave private, që sipas pjesëmarrësve në diskutim “u vlerësua fakti se shlyerja e detyrimeve të sektorit publik ndaj kompanive private do të përfaqësonte një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e situatës së tyre financiare dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj sektorit bankar”. Bankat kërkojnë një forcim të ligjit për ekzekutimin e kolateralit, si masë që përmirëson gjendjen e krijuar me borxhin e keq, i cili kap vlerën e mbi 1 miliard dollarëve (22% ndaj totalit). Në një kuadër më të gjerë, GKSF vlerësoi se pasiguria që ekziston në rritjen ekonomike dhe në zhvillimet ekonomike ndërkombëtare diktojnë nevojën për një kujdes më të madh në planifikimin e realizimit të të ardhurave buxhetore dhe në madhësinë e përbërjen e shpenzimeve publike. Përveç guvernatorit dhe ministrit, në mbledhje kanë marrë pjesë krerët e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave etj.
A.Kola