Elbasan
Policia heton për konflikte të tregtarit qiramarrës, por edhe të pronarit të objektit
Elbasani është zgjuar dje me shpërthimin e fuqishëm të një sasie të konsiderueshme eksplozivi, që është vendosur në ambientet e një biznesi hidrosanitaresh, ndërkohë që policia dyshon se kjo ka ndodhur për shkak të konkurrencës ose hakmarrjes. Shpërthimi i eksplozivit u regjistrua rreth orës 02.30 të mëngjesit në një dyqan hidrosanitaresh në lagjen “28 Nëntori”, në afërsi të Urës së Zaranikës. Në vendngjarje shkuan menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor për të verifikuar çfarë kishte ndodhur. Sipas të dhënave paraprake, rezulton se një sasi e konsiderueshme eksplozivi është vendosur qëllimisht në këtë dyqan, i cili është dhënë me qira për biznes dhe së shpejti çelte aktivitetin. Dëme në njerëz nuk ka pasur, ndërkohë që dëmet materiale kanë qenë të konsiderueshme. Banorët e zonës kanë lajmëruar për një shpërthim të fuqishëm, që është dëgjuar pas mesnate dhe mësohet se pika e shitjes nuk ka qenë me qepena hekuri, duke hedhur dyshime për hedhjen e një kallëpi tritoli nga pjesa e jashtme. Nga të dhënat e para, dëmi i shkaktuar është miliona lekë dhe sasia e përdorur duhet të ketë qenë e madhe. Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë lidhje me ngjarjen. Nëndrejtori i policisë, Dorian Muça, tha se është një kohë tepër e shkurtër për të dalë në përfundime. Sipas të dhënave, aktualisht po ndiqet pista e konkurrencës, për shkak të biznesit të hidrosanitareve, por nuk përjashtohet nga hetimet edhe ndonjë konflikt i mundshëm i pronarit të objektit, i cili e kishte lëshuar ambientin me qira për biznes. Tregtari kishte pak kohë që e kishte marrë objektin me qira, e kishte riparuar dhe sjellë pajisje hidrosanitare, pllaka dhe materiale të tjera. B. Nergjoni