Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka marrë pjesë sot në aktivin e LGI-së në qytetin e Vlorës. Në fjalën e tij, lideri i LSI-së falënderoi të gjithë vlonjatët për mikpritjen e jashtëzakonshme gjatë kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë.
Meta deklaroi nga Vlora se patriotizmi i vërtetë është të bësh gjithçka për interesin më të madh që kërkon vendi në momentin kur ti je dëshmitar. “LSI nuk pajtohet me shpërdorimin e mundësive që u jepen vendit për të ecur përpara. Nuk pajtohet me stanjacionin, me papërgjegjshmërinë e politikanëve që vënë interesat e tyre përpara atyre të vendit. Sepse në rast se Shqipëria nuk ka burra të zotë të bëjnë atë që duhet, patjetër do të ketë gra të zonja dhe të zgjuara në të gjithë Shqipërinë”, ka thënë Meta.
Në fund të takimit, anëtaret e LGI-së së degës Vlorë i dhuruan Kryetarit të LSI-së një statujë të Ismail Qemalit në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. 19 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)