Privatizimi i gabuar i vitit 2009, qeveria pranon humbjet e stërmëdha


Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës deklaroi sot se Shqipëria ka patur një kosto prej 1 miliardë dollarësh nga privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes si dhe shprehu pakënaqësi për vendimin e CEZ grup për të nxjerrë në shitje kompaninë shqiptare.


Zv/ministri Enno Bozdo në një deklaratë urgjente për shtyp deklaroi se si pasojë e dështimit të CEZ për luftimin e vjedhjeve në shpërndarje si dhe mosinvestimet e kryera nga kjo kompani, i kanë shkaktuar Shqipërisë një dëm prej 1 miliardë dollarësh.


“CEZ a.s. ka dështuar të përmbushë detyrimet thelbësore të saj, të specifikuara në kontratën e privatizimit dhe në dokumentat ligjore përkatës të këtij procesi, duke i shkaktuar një dëm Shqipërisë që përllogaritet në nivelin e 1 miliardë USD,” deklaroi Bozdo.


“Hapi ndërmarrë nga CEZ a.s (ku deklarohen për shitje pjesa e aksioneve të tij tek kompania “CEZ Shpërndarje”) është tregues i plotë i mosseriozitetit të kësaj kompanie në negociata, si dhe i faktit që CEZ a.s. nuk është aspak e përkushtuar për të zgjidhur problematikën e krijuar si pasojë e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale të saj,” tha më tej Bozdo.


Sipas qeverisë, kjo situatë nuk vjen aspak si pasojë e veprimeve të Rregullatorit (ERE), por përkundrazi ajo vjen, përveçse prej mosrealizimit të detyrimeve kontraktuale nga ana e CEZ a.s., edhe si pasojë e menaxhimit shumë të dobët të “CEZ Shpërndarje” dhe nivelit shumë të ulët të investimeve të kryera në rrjet.


Humbjet për vitin 2012 kanë arritur në 50%, ndërsa detyrimi kontraktual i CEZ a.s. dhe CEZ Shpërndarje është që ky nivel të ishte 24%. Shifra totale që CEZ Shpërndarje humb nga mosrealizimi i këtij objektivi është rreth 160 milionë euro, që në fakt është ekzaktësisht shifra e humbjes ekonomike që kompania deklaron, thotë METE.


Niveli i investimeve në rrjet për vitin 2012, është vetëm 7%! Mosrealizimi i këtyre investimeve ka çuar në humbjet e cituara me sipër;


Pretendimi se CEZ Shpërndarje furnizohet me çmim të lartë të energjisë elektrike nga KESH përsëri nuk qëndron: kjo kompani blen energji nga KESH me një çmim simbolik prej 18 euro MW/h, ndërkohë që çmimi që CEZ Shpërndarje shet energjine është rreth 80 Euro MW/h, që sjell që të ardhurat për të në masën rreth 43 miliardë lekë.


CEZ a.s nuk ka realizuar minimumin e transferimit e dijeve (knoë-hoë) tek CEZ Shpërndarje, duke e lënë kompaninë “bijë” të saj pa fonde financiare, pa pajisje dhe në borxh të thellë me kompanitë shtetërore shqiptare, borxh që llogaritet në nivelin e 300 milionë eurove.